DETAJET/ Ky është vrasësi i bosit të Podgoricës, çfarë u bëri përshtypje policëve

Policia malazeze është në kërkim intensiv të vrasësit të njërit prej krerëve të klanit malazes “Skaljari”, Miliç Sakoviç pak para mesnatës së djeshme në Budva. Ndaj tij u qëllua me tetë plumba përmes një automatiku të shkurtuar, të cilin vrasësi e mbante poshte rrobave të tij për ta nxjerrë me shpejtësinë e dritës duke qëlluar disa herë në drejtim të bosit të Podgoricës.

Mediat malazeze bëjnë me dije se disa kamera sigurie kanë filmuar vrasësin, i cili ishte veshur me një këmishë të bardhë me krahë të gjata, kapele dhe xhinse.

Policia ka konstatuar se vrasësi ishte ulur në një tavolinë pranë Sakoviçit në kafenenë “Korkovado” në qytetin e vjetër në Budvas. Ai ka nxjerrë armën me shpejtësi rrufeje duke qëlluar disa herë në drejtim të tij.

Dyshohet se arma ka qenë një automatik i vogël, ndërsa ekzekutori ka zbrazur të gjithë karikatorin në drejtim të njërit prej krerëve të klanit “Skaljari”. Ndërkohë që ndodhi kjo, asnjëri prej shokëve të pranishëm të Sakoviçit nuk u prek nga plumbat duke bërë që policia të mendojë se kemi të bëjmë me një killer profesionist.

Nga kamerat është kuptuar se vrasësi kishte një trup të mbushur dhe me gjatësi mesatare. Teksa vraponte për të ikur nga vendi i ngjarjes, ai është penguar në një bordurë duke lënë aty gjurmë të tij. Më pas rezulton nga kamerat se ai është ngritur dhe ka humbur mes lagjeve të qytetit.

Ka dyshime se vrasësi nuk është malazez, nisur edhe nga fakti se ai nuk mbante maskë dhe nuk e fshehu identitetin e tij, ndërkohë që u ul vetëm një tavolinë larg objektivit të tij.

Policia e gjeti më pas armën me të cilën u vra Sakoviç duke e çuar për ekspertizë ligjore.

Nga këqyrja e trupit ka rezultuar se Sakoviç ka marrë tetë plumba në trup. Tre i ka marrë në kokë dhe pesë të tjerë në pjesë të ndryshme.

Krahas armës, policia ka gjetur edhe veshjet e vrasësit, të cilat i kishte hedhur aty pranë pas kryerjes së krimit. Dyshohet se autori kishte një bluzë nën këmishën e tij me qëllim humbjen e gjurmëve pas largimit nga vendi i ngjarjes.

Miliç Sakoviç rezulton të jetë njëri prej krerëve të klanit “Skaljari” dhe i ishte besuar kontrolli i Podgoricës prej drejtuesve të klanit. Ata janë në një luftë të hapur me klanin tjetër nga Kotorri, “Kavaç” dhe gjatë këtyre viteve, beteja mes tyre ka rezultuar me dhjetra viktima nga të dyja palët.

Kush ishte Milic Minja Sakoviç

Mediat lokale raportojnë se Milic Minja Sakoviç rezultonte në të dhënat e policisë si një pjestar me peshë i klanit “Skaliari” dhe ishte përgjegjëse për Podgoricën. Ai ka qenë shpesh në shënjestër të klanit rival gjatë viteve të fundit duke i mbijetuar atentateve vazhdimisht.

Por kësaj radhe vrasësit i kishin marrë masat mirë duke e ekzekutuar 20 minuta para mesnate, pranë shtëpisë së tij në Budva.

Sakoviç mbijetoi më 8 shtator 2017, pasi vrasësit e qëlluan në gjoks me automatik me pesë plumba në kafenenë “Auto Zeta” në qendër të Podgoricës, derisa kishte futur makinën në një lavazh aty pranë.

Në atë sulm, për shkak të numrit të madh të plumbave të automatikut të lëshuara drejt tij, u vra djali i pronarit të lavazhit, Ivan Nedoviç. Ai nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, thjesht qëlloi aty teksa një person i maskuar erdhi për të vrarë Sakoviçin.

Ky i fundit mbijetoi atë ditë edhe falë ndërhyrjes së vëllait të tij, i cili më të parë vrasësin u hidh siper të vëllait duke e shtrirë në tokë me qëllim që t’i shpëtonte plumbave.

Pak vite më pas, pikërisht në mars 2021, policia arrestoi një grup personash të akuzuar për organizimin e një tjetër atentati ndaj tij.  Bëhet fjalë për një grup prej pesë personash, të dyshuar se po organizonin një atentat ndaj tij, kësaj radhe me snajper nga një shtëpi pranë zonës që frekuentohej prej Sakoviçit.

Nga hetimet, Prokuroria Speciale gjeti disa foto të Sakoviçit në telefonat e grupit famëkeq. Ata qëlluan me snajper ndaj tij, por ai shpëtoi, ndërkohë që më pas grupi tentoi të largohej me një makinë të vjedhur, të cilën më pas e dogjën, por nuk u shpëtuan dot prangave të policisë.

Në dhjetor 2020, ai nxorri për shitje në makinë “Audi”  të blinduar, por teksa po kryenin procedurat, policia zbuloi se në fakt, “klientët e panjohur” po tentonin që të kryenin procedurat përmes një sasie të madhe parash të falsifikuara. Policia dyshon se ky ka qenë një tjetër tentativë atentati ndaj Sakoviçit pasi qëllimi nuk ishte blerja e makinës, por shfrytëzimi i saj si një shkak për t’iu afruar atij.

Ndërkohë, ai iu drejtua policisë në dhjetor 2017 duke thënë se e ndiqte një burrë në zonën e Zagoricës. Sipas tij, burri kishte shkuar në shtëpinë e tij me biçikletë dhe kishte qëllim për ta vrarë.

Policia verifikoi planet e kamerave të sigurisë dhe zbuloi se vërtetë bëhej fjalë për një burrë të maskuar me një çante në shpinë që vërtitej rreth banesës së Sakoviçit

Policia kishte konstatuar se Sakoviçi ishte shumë i kujdesshëm për shkak të luftës që kishin me klanin rival “Kavaç”. Ai lëvizte me makina të blinduara dhe i shoqëruar nga badigardë.

Vrasje që i mitur

Ai rezulton të ketë kryer një vrasje që në kohën kur nuk kishte mbushur ende 18 vjeç. Bëhet fjalë për gushtin 2005 kur ai vrau 26-vjeçarin Miro Baošić. Ai bashkë me të vëllanë u fshehën në shkurre duke pritur të kalonte Baošić. Pas e qëlluan disa herë, ata u larguan, ndërkohë që ai vdiq në spital.

Policia e kapi Sakoviçin atëhere dhe e dënoi me dhjetë vite burg, por për shkak të moshës së re, Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin duke e dënuar me riedukim. Vëllai i tij u dënua me 12 vite burg, por më pas edhe atij iu reduktua. Ata e vranë 26-vjeçarin pas disa konfliktesh të vazhdueshme me të.

Vëllai i xhaxha Sakoviçit, Millosh Shakoviç, 31vjeç, u vra më 31 mars 2018 në qendër të Podgoricës teksa ishte ulur në lokalin “Forum”. Në sulm mbeti i vrarë edhe një viktimë aksidentale, Radivoje Jovanoviç, i cili ishte ulur në tavolinën ngjitur kur vrasësi i maskuar qëlloi.

A ka lidhje me vrasjen e Salet Mutavi?

Policia e Beogradit ishte në kërkim të Miliq Shakoviqit me dyshimin se ka marrë pjesë në likuidimin e liderit të tifozëve të Partizanit, Aleksandar Stankoviç, i njohur si Sale Mutavi, i cili u vra pasi vrasësit e ndoqën atë, më 13 tetor 2016 në Beograd.

Sakoviç u arrestua atëhere kur policia gjeti dy pistoleta me nga 15 plumba në karikator në një ndarje të veçantë në makinën e tij të blinduar. Sakoviç u lirua pas marrjes në pyetje pasi shoku deklaroi se armët i përkisnin atij.

Atentati i radhës

Miliç Minja Shakoviq u arrestua më 7 shkurt 2019 në Podgoricë me dyshimin se ka tentuar të vrasë dy anëtarë të klanit kriminal të Kavaçit më 27 mars 2016 në Kotorr.

Administrata e Policisë më pas bëri të ditur se të dyshuarit për tentativën e vrasjes së liderit të supozuar të klanit Jovan Vukoviç ishin vrarë.

Pas arrestimit të tij para prokurorit dhe gjykatësit hetues, Sakoviç pretendoi se ai nuk ishte në Kotorr natën kur u qëlluan Vojin Stupar dhe Milos Radonjiç.

Prokuroria dyshoi se atë natë Dedovic, i vrarë në Athinë, ishte pas timonit të “BMW”-së me të cilën ai, Vukotiçi dhe Sakoviçi ua bllokuan rrugën Stuparit dhe Radonjiçit dhe qëlluan në drejtim të tyre.

Sipas prokurorisë, Vukotiçi ka qenë i pari që ka qëlluar në momentin kur Stupari dhe Radonjiç kanë zbritur nga automjeti dhe kanë filluar të ikin. Në këtë moment sipas policisë, nga BMW-ja kanë dalë Dedoviç dhe Sakoviç duke qëllua disa herë në drejtim të viktimave. Për shkak të kësaj, Sakoviç ishte në paraburgim për gjysmë viti.

Grupet kriminale në Malin e Zi

Grupet kriminale të organizuara transnacionale malazeze, të angazhuara kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në Evropë, janë të njohura për luftëra të dhunshme ndër-bandash me të shtëna në të gjithë Evropën dhe dhunë të gjerë në rajon. Aktivitetet kriminale më së shpeshti të lidhura me grupe aktive kriminale të organizuara në Mal të Zi janë pastrimi i parave, trafikimi i drogës dhe prodhimi i drogës.

Një malazez dhe një serb me lidhje me një klan kriminel u vranë në një pritë pranë një vile që kishin marrë me qera në fshatin Halikouna në jug të ishullit grek të Korfuzit. Autori ose autorët e panjohur vranë Alan Kozhar, udhëheqësin e një grupi kriminal në qytetin bregdetar malazez të Tivarit dhe serbin Damir Haxhiç, nga Uçiçe. Të dy dyshohet se ishin afër njërit prej dy klaneve mafioze malazeze të quajtur Skaliari. Koçar dhe Haxhiç ishin bë kërkim nga policia malazeze dhe serbe për përfshirje në vrasje dhe vrasje në tentativë.

Kozhar thuhet se ishte një figurë me ndikim në botën e nëndheshme të Ballkanit dhe kreu i një grupi kriminal në qytetin bregdetar të Tivarit. Grupi është i përfshirë në “trafik droge, pastrim parash, zhvatje dhe vrasje”, që synojnë marrjen e përparësisë në aktivitetet kriminale në territore të caktuara. Një vit më parë, dy malazezë të tjerë u vranë në një sulm të llojit mafioz në Greqi.

Në një veprim të shpejtë, vrasësit hynë në një restorant në Athinë dhe vranë Igor Dedoviç, një nga udhëheqësit e klanit Skaliari dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Stevan Stamatoviç, ndërkohë që po hanin drekë me familjet e tyre. Bandat nga Mali i Zi njihen globalisht si klanet Kavaç dhe Skaliari, të dyja me origjinë nga qyteti bregdetar i Adriatikut, Kotorr. Anëtarët e tyre bënin kontrabandën e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë së bashku, por u ndanë në 2014.

Konflikti u ka marrë jetën dhjetëra njerëzve në vendet e ish-Jugosllavisë dhe më gjerë, ndërsa bandat luftojnë për të kontrolluar rrugët për kontrabandën e kokainës nga Amerika e Jugut për në Evropë, që ka fitime prej 5.7 miliardë eurosh në vit.

Në shtator 2020, spanjollja El Pais, raportonte se në Spanjë ka anëtarë të rreth njëqind grupeve nga Serbia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bosnja dhe Maqedonia, sipas të dhënave të fundit nga Qendra e Inteligjencës Spanjolle për Kundër-Terrorizmin dhe Krimi i Organizuar.

Gazeta raportoi gjithashtu se “bandat serbe po konkurrojnë me grupe Hollandeze dhe Francezo-Algjeriane për kontrollin e trafikut të drogës në zonë: ka të shtëna, rrëmbime dhe veprime të tjera të dhunshme”. Grupet e para arritën në Spanjë në fund të luftës në Ballkan, nga viti 2001 – sipas raporteve të policisë, të cilat thonë se fillimisht ishin bandat shqiptare që vepronin në vend, të specializuar në vjedhje, para se të mbërrinin bandat e drogës nga Mali i Zi dhe Serbia”./abcnews.al