​Dendias: Të respektohen marrëveshjet e arritura në mes Prishtinës dhe Beogradit

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias deklaruar se e mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian duke shtuar se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura deri tani.

Ai është pritur në takim nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se roli i Greqisë është i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet me Serbinë.

Pas takimit, diplomati grek ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të jetë destinacioni përfundimtar për të gjithë në Ballkanin Perëndimor.

“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjet ligjërisht të detyrueshme dhe sipas ligjeve ndërkombëtare. Sipas marrëveshjes së arritur të mbështetur nga BE-ja nëntorin e kaluar që të mos ketë rrezik dhe tensione, ajo që është arritur deri më tani është e rëndësishme të zbatohet nga të dy palët. Më lejoni të them se ky ishte edhe mesazhi im për Beogradin dje”, tha ai.

Ndërsa ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se të dy vendet ndajnë qëndrim të njëjtë për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe për dialog në vend të kërcënimeve.

“Republika Helene dhe Republika e Kosovës, në politikën e tyre të jashtme janë në një linjë, Bashkimi Evropian, NATO, qëndrim të njëjtë dhe të qartë për luftën në Ukrainë, qëndrim të qartë për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe dialog në vend të kërcënimeve, bashkëpunim në vend të pengesave. Roli i Greqisë është shumë i mirëseardhur dhe shumë i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet edhe me Serbinë me qëllim që pastaj të mund të pasojë normalizimi në vend të përshkallëzimit”, tha Gërvalla.

Pas takimit, ata deklaruan se temë diskutimi kanë qenë edhe bashkëpunimi bilateral, ekonomia, energjia si dhe rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.