Deklarata e fortë e Xhaferrajt: Lefter Koka dhe Adrian Çela, të lidhur me krimin!

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës, njëkohësisht kandidat për deputet në këtë qark, Ferdinand Xhaferaj ka deklaruar se qyteti bregdetar adiministrohet nga një ekip që ka karakterin e një bande.

Në një intervistë, Xhaferaj sulmon kundërshtarët politikë ndërsa thotë se kandidati socialist Lefter Koka dhe drejtuesi politik i PS-së për qarkun Durrës, Adrian Çela janë të lidhur me elementë kriminalë, shkruan Durrëslajm.

“Keqadministrim, mosshërbim që kanë ardhur nga një sjellje politike e këtij ekipi që në shumë raste ka pasur karakterin e një bande. Kanë qenë disa element të lidhur me grupe kriminale dhe këtë e dinë të gjithë qytetarët. Të gjithë e dinë që këto vite qyteti është një grup prej dy, tre personash. Lefter Koka, Adrian Çela, të lidhur me elementë kriminalë, që të gjitha produktet që ka dhënë ky qytet janë administruar nga këta.”

Duke u ndalur te lista e Partisë Socialiste, Xhaferaj thotë se është pasqyrë e dosjes së bujshme “339”, pasi në të janë të përfshirë elementë të përfolur për korrupsion dhe dhunë.

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe lista është pasqyrë e 339-ës. 40% e listës janë elementë të artikuluar në 339-n, elementë të përfolur për afera të rënda korruptive, janë elementë të përfolur për dhunë.”

Më tej, Xhaferaj komentoi edhe fletën e votimit që do të përdoret në zgjedhjet e 25 prillit, e miratuar pak ditë më parë nga  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas kryedemokratit, PS zgjodhi një fletë votimi me numra dhe jo me emra pasi në listën e socialistëve janë kandidatë të përfolur në dosjen 339 si dhe sepse Rama nuk i vlerëson si emra bashkëpunëtorët e tij, por i llogarit si numra.

“Nëse Partia Demokratike është tërësisht e angazhuar që fleta e votimit të ishte me emra, ishte legale iniciativa e PS-së që të mos kishim emra po të kishim numra. Këtë mund ta shohësh në dy kënde të ndryshme, njëri kënd është që emrat që ka Partia Socialiste janë element të 339-ave apo të të gjithë kësaj masakre, abuzimi, kësaj urrejtje që ka në qytete për emrat e Partisë Socialiste. Një këndvështrim tjetër mund të jetë fryma autoritare që ka krijuar Edi Rama, mënyra sesi ka qeverisur, njerëzit që bashkëpunon nuk i llogarit si emra, por i llogarit si numra.”


Shtuar 5.04.2021 07:04