Dalin emrat, ja dy trajnerët favorit që mund të zëvendësojnë Mourinhon (FOTO LAJM)

Situata e Jose Mourionhos në stolin e Tottenham nuk është aspak e mirë dhe për trajnerin portugez ka kritika në rritje nga tifozët dhe specialistët në Angli.

Eliminimi shokues në Europa League dhe tani ecuria e dobët drejt një vendi në kupat e Europës mund ta bindin presidentin Levy që të ndërpresë në fund të sezonit aktual bashkëpunimin me “Special One” i cili mund të marrë një dëmshpërblim deri në 30 mln Paund, që gjithsesi mbetet për t’u parë në varësi të renditjes përfundimtare.

Numri 1 i Spursave ka nisur të studiojë terrenin për pasuesin e Mourinhos dhe ka shfaqur interesim për Maurizio Sarrin për të cilin do të ishte një rikhim në Londër pas eksperiencës me Chelsean ndërkohë që Levy e pëlqente teknikun Italian edhe përpara se ai të shkonte te “Blutë e Londrës”.

Një ide tjetër është edhe Nuno Espirito Santo që po bën mjaft mirë prej shumë sezonesh në Premier League me Wolverhampton por nga kontrata e tij e gjatë do të kishte negociata të tejzgjatura dhe klauzola për t’u paguar ndaj dhe Sarri duket si formula më e drejtë për momentin.

Aktualisht trajneri Italian është nën kontratë dhe paguhet nga Juventusi që e shkarkoi në fund të sezonit të kaluar e gjithashtu po tentohet nga Napoli dhe Roma por këto ditë Levy ka parashikuar një takim me agjentin e Sarrit për të kuptuar dëshirën dhe mundësitë e bashkëpunimit për sezonin e ardhshëm.


Shtuar 15.04.2021 16:14