Sipas mediave spanjolle, Manchester United po shqyrton mundësinë e transferimit të Marc Casados, me synimin për ta përforcuar mesfushën përpara nisjes së sezonit të ri.
Te drejtuesit e klubit në “Old Trafford”, afrimi i alternativave cilësore në këtë repart shihet si prioritet kryesor, teksa ekipi përgatitet për një edicion që pritet të jetë mjaft i vështirë.
Të lidhura
None found
Pasi siguruan pjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, kërkesat e stafit teknik janë shtuar ndjeshëm.
Michael Carrick kërkon të formojë një skuadër konkurruese, të aftë për ta përballuar me sukses rikthimin në nivelin më të lartë të futbollit evropian.
“Djajtë e Kuq” e kanë mbyllur tashmë marrëveshjen për mesfushorin Ederson nga Atalanta, në një operacion me vlerë të lartë, por klubi vijon të kërkojë edhe një profil tjetër që do t’i japë ekuilibër taktik dhe më shumë intensitet fazës mbrojtëse.
Në këtë kuadër, vëmendja e Manchester United është përqendruar te situata e Marc Casados, i cili po konsiderohet si një nga emrat më tërheqës të merkatos së verës.
Mesfushori 22-vjeçar pëlqehet shumë nga stafi teknik anglez, veçanërisht për aftësinë që ka në rikuperimin e topit, një tipar që e bën shumë të përshtatshëm për këtë repart.
Edhe pse në një periudhë kishte përjetuar momente të mira nën drejtimin e trajnerit gjerman Hansi Flick, rëndësia e Casados në skuadër ka ardhur duke u zvogëluar. Dalja në skenë e talenteve të tjerë nga akademia, mes tyre Marc Bernal, ka bërë që ai të mos e ketë më të garantuar vendin në formacion.
Në sezonin e kaluar, Casado e nisi si titullar vetëm 10 ndeshje në La Liga, ndërsa në total zhvilloi 34 paraqitje me skuadrën katalanase në të gjitha kompeticionet.
