COVID-19 i mori bashkëshortin, Leskaj: Kalova një gjendje të vështirë shëndetësore

Vetëm pak javë më parë, ish-deputetja socialiste Valentina Leskaj humbi bashkëshortin e saj për shkak të COVID-19. Me një postim në rrjetin social Facebook ajo ka rrëfyer se edhe vetë ka kaluar një gjendje të vështirë shëndetësore.
 
Ajo i ka falenderuar të gjithë miqtë dhe mbështetësit duke u shprehur se iu është shumë mirënjohëse.
 
“Të dashur miq, kolegë e dashamirës, në këto ditë të vështira të humbjes së bashkëshortit tim të dashur, babait e gjyshit të shtrenjtë të fëmijëve të mi, njeriut që na bën krenar për vlerat njerëzore dhe emrin që la, Astritit, dua të shpreh një falenderim zemre dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ju, që me telefonatat e mesazhet e ngushëllimit, të ardhura nga çdo cep i Shqipërisë e përtej kufijve të saj, na dhatë mbështetje të madhe.
 
Situata e vështirë shëndetësore që kalova, më pengoi t’u përgjigjesha menjëherë mesazheve tuaja, po unë besoj se falenderimi dhe mirënjohja nuk kanë të bëjnë me kohën, ato janë aty, brenda zemrave tona pavarësisht nga rrethanat e vështirësitë fizike.
 
Mbështetja juaj më ka dhënë mua dhe gjithë familjes, forcë dhe kurajo për të përballuar humbjen, të cilën do ta kishim më të vështirë pa mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme.
 
Lus me zemër të keni vetëm gëzime e mirësi në familjet tuaja, sikurse uroj më të mirën për çdo familje shqiptare në këto ditë të vështira të pandemisë.
Faleminderit nga zemra” shkruan Leskaj. /albeu.com/

Shtuar 13.03.2021 09:03