Nga Mikhail Vinogradov “Moscow Times”
Bombardimet e fundit ajrore të Rusisë ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, përfaqësojnë një kundërpërgjigje ndaj disa problematikave të reja dhe të paparashikuara, me të cilat është përballur Kremlini javët e fundit.
Së pari dhe më kryesorja, ishte tërheqja në shkallë të gjerë e trupave ruse nga rrethinat e Kharkiv-it dhe Lyman-it, gjë që i habiti të gjithë analistët rusë për përjashtim, pavarësisht pikëpamjeve të tyre mbi luftën. Me gjithë rezultatet e përziera të 6 muajve të parë të luftës, në Rusi ka pasur në përgjithësi një skepticizëm të madh, nëse Ukraina mund të niste vërtet një kundërsulm.
Prandaj, humbjet e rënda ushtarake të Rusisë në rajonet Kharkiv dhe Kherson, nuk mund të mos shkaktonin shqetësim. Për më tepër ato nxitën një dëshirë të madhe, për të gjetur se kujt i duhet hedhur faji, duke i detyruar zyrtarët e lartë rusë të dilnin më shpesh në media.
Po kjo taktikë, vetëm sa e inkurajoi publikun rus të ishte shumë më kritik ndaj fushatës ushtarake, e cila deri vonë konsiderohej gjerësisht si fitimtare. Për më tepër, u bë e qartë se federata ruse nuk kishte asnjë plan për të krijuar një front të bashkuar, mbi zbatimin e mobilizimit të pjesshëm të shpallur nga Kremlini.
Edhe pse reagimi i publikut ndaj mobilizimit, ishte më i qetë nga sa kishin parashikuar shumë analistë, kritikat ndaj drejtuesve të lartë ushtarakë për zbatimin kaotik të tij, ishin kaq shumë të përhapura saqë vunë në pikëpyetje teorinë në dukje të vetëkuptueshme rreth njerëzve që tuboheshin rreth regjimit në kohë lufte.
E kombinuar me tronditjen e shkaktuar nga humbjeve ushtarake të Rusisë, ajo krijoi përshtypjen se klasa politike ruse po e humbte aftësinë saj për të dëshmuar qoftë edhe një farë uniteti mbi çështjet e vështira. Për shkak të atmosferës së frikshme që shkaktoi mobilizimi, shpallja e aneksimit të 4 “territoreve të reja” nga Ukraina nuk arriti të ngjallte ndonjë eufori publike. Madje kaloi në përgjithësi pa u vënë re, dhe kjo për shumë arsye.
Së pari, në kontrast me Krimenë, si një pikë strategjike dhe një destinacion popullor për pushimet, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, në kujtesën historike ruse nuk ka asnjë imazh koherent të rajoneve Donbas dhe Kherson. Përveç kësaj, pjesa publike e procesit të aneksimit – referendumet e rreme – nuk u portretizuan me shumë sukses.
Ka shumë të ngjarë, që nëse Kremlini do të kishte shpallur aneksimin pas shpërthimit në Urën e Kerçit që lidh Rusinë dhe Krimenë, ajo do të ishte parë si një lëvizje më dinamike dhe e suksesshme, dhe mund të kishte tërhequr më shumë vëmendje.
Ndërkohë, shpërthimi dhe dëmet që pësoi ura, e ndërtuar me shpenzime të mëdha nga Rusia, dhe e inauguruar në vitin 2018, ishte një burim i dukshëm sikleti për Moskën, pasi u pa menjëherë e qartë se pas sulmit qëndronte Ukraina.
Mund të duket se fundosja në pranverë e anijes luftarake ruse “Moskva” – anijes së Flotës së Detit të Zi – duhet të ishte një ngjarje shumë më domethënëse dhe dramatike. Por në aspektin psikologjik, ajo u përballua më lehtë nga shoqëria ruse, ndjenjë që zgjati deri në vjeshtë, kur nisi të vihet re fakti se aftësitë ushtarake të ukrainasve, janë pak a shumë të krahasueshme me armikun e saj të fuqishëm.
Reagimi i udhëheqjes ruse ndaj kësaj kthese të ngjarjeve, ishte nisja e një vale sulmesh vdekjeprurëse me raketa mbi qytetet ukrainase në datat 10-11 tetor, të pasuara nga sulmet me dronë ndaj Kievit më 17 tetor. Sulmet duken si një përpjekje e Rusisë për të bindur veten dhe të tjerët, se ajo ka ende vendosmëri, energji dhe burime të mjaftueshme për të rifituar iniciativën ushtarake në terren.
Bombardimi ajror supozohet të parandalonte shndërrimin e shqetësimit në rritje në shoqërinë ruse ndaj kësaj lufte, në ndjenja negative ndaj autoriteteve. Kremlini po përpiqet të pengojë lindjen e kundërshtive të reja në radhët e shtresave më besnike të popullatës:gratë, banorët e Rusisë periferike, dhe republikat e brendshme të formuara rreth grupeve të veçanta etnike të Rusisë.
Deri më sot, këta të gjithë kishin qenë një nga shtyllat kryesore social të regjimit. Por ishin shumë më pak entuziastë për shpalljen e mobilizimit. Prandaj sulmet me raketa në Ukrainë, duhej që t’i ri-poziciononin veprimet e Moskës në sytë e këtyre njerëzve si “mbrojtëse”, dhe që synonin të garantonin sigurinë e popullit të Rusisë në kundërpërgjigje të veprimeve të forta të armikut të saj.
Nga pikëpamja ushtarake, bombardimi masiv i Ukrainës në datat 10-11 tetor, i dha mundësi Kremlinit të shtonte paqartësinë rreth synimeve të Rusisë. Ai duhej të tregonte vendosmërinë e Moskës, por në fakt nuk u shoqërua me asnjë shpjegim se çfarë synohej të arrinte:A ishte planifikuar si një masë mbrojtëse kundër kundërsulmit të Ukrainës rreth Khersonit?
Për të parandaluar që trupat ruse të ndahen nga njëra-tjera pranë Berdyansk ose Melitopol? Për të ngrirë statuskuonë përpara bisedimeve të mundshme në të ardhmen? Për të zvarritur
sa më shumë konfliktin, me shpresën e forcimit të ushtrinë pas rikualifikimit të ushtarëve të sapo-mobilizuar? Apo për të krijuar një justifikim për përdorimin e një arme bërthamore?
Bombardimi spontan i dha mundësi Moskës të tregonte se nuk po rri duarkryq. Ata që besonin tashmë në potencialin ushtarak të Rusisë, panë konfirmimin e teorisë se Rusia nuk
e ka filluar ende “seriozisht”. Ndërsa ata që e konsideruan shpërthimin në Urën e Krimesë si një poshtërim të rëndë, mund ta shihnin me sytë e tyre se ai sulm nuk mbeti pa u ndëshkuar.
Por vetëm ndërmarrja e veprimeve, sado demonstrative të jetë, nuk është një garanci se Moska do të jenë në gjendje të ndryshojë situatën në frontin e luftës apo të zgjidhë problemet ekzistuese. Efektiviteti ushtarak i bombardimit ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës është i diskutueshëm. Nuk janë zgjidhur as vështirësitë serioze të Rusisë në marrëdhëniet me ish-fqinjët e tjerë sovjetikë.
Teoria se mobilizimi do të forconte aftësitë luftarake të forcave të armatosura ruse, nuk është vërtetuar ende. As ndarja në shoqërinë ruse që ndodhi muajin e kaluar nuk është kapërcyer. Shumica apatike e rusëve, duhet të shpenzojë gjithnjë e më shumë energji, për të mos vënë re atë që po ndodh, por ende nuk po pranon t’i bashkohet minoriteteve, të jetë kundër luftës apo radikalisht pro luftës.
Nga ana tjetër nuk ka një konsensus nëse Rusia zotëron burime dhe energji të mjaftueshme për të ndërmarrë veprime të mëtejshme radikale. Prandaj, tani për tani, sulmet e saj me raketa nuk i japin përgjigje pyetjen kryesore:Nëse Moska është e përgatitur të rimarrë iniciativën ushtarake në terren, dhe të fillojë të përdorë metoda që do të japin rezultate më konkrete, apo nëse ajo thjesht po reagon ndaj veprimeve të Kievit, duke rrezikuar të bjerë në një kurth tjetër./abcnews.al