Buxhuku paralajmëron për rrezik kolapsi: Ekonomia mbështetet te paratë e zeza, ndërsa koston e taksave do ta paguajnë qytetarët

Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrisë, ka shprehur shqetësim për gjendjen e ekonomisë shqiptare, duke kritikuar paketën e re fiskale dhe mungesën e një plani të qartë zhvillimi. Në emisionin “Minuta e Parë” të News24, ku ishte i ftuar me gazetaren Ola Bruko, ai tha se vlerësimet për vitin 2027 janë pesimiste. Ndër problemet kryesore përmendi varësinë nga paratë informale dhe veprimtaritë kriminale.

Sipas Buxhukit, paketa fiskale është trajtuar si një përllogaritje aritmetike dhe jo si një plan që përcakton drejtimin e ekonomisë në periudhën afatshkurtër, afatmesme e afatgjatë. Ai vuri në dukje se mungojnë të dhënat për ndikimin që do të ketë secila masë e propozuar.

Të lidhura

None found

“Problemi është se paketa është paraqitur si aritmetikë, jo si një projekt që tregon se ku synon të shkojë ekonomia shqiptare dhe çfarë objektivash ka për afatin e shkurtër, të mesëm apo të gjatë. Nuk kemi të dhëna se çfarë ndikimi do të ketë në ekonomi secili prej propozimeve. Të gjithë duam që ekonomia të ecë mirë, por parashikimet për vitin 2027 janë pesimiste. Kjo lidhet me bazën reale të ekonomisë dhe me ‘oksigjenin’ që e mban atë. Edhe një paketë fiskale e përsosur jep rezultate negative, nëse ekonomia është e shtrembëruar.

Ekonomia shqiptare ka disa tipare që e ekspozojnë ndaj rrezikut të kolapsit. Së pari, është paraja informale që vjen nga jashtë, pra paratë e zeza. Pjesa e dëmtuar e ekonomisë është zgjeruar aq shumë, sa pesha e saj mund të jetë më e madhe se ajo e ekonomisë formale të shëndetshme. Vlera e parasë së zezë, me garanci absolute, kalon 35-40 përqindëshin, ndërsa pa të dhëna zyrtare thuhet se është edhe më e lartë. Pjesa më e madhe janë para të siguruara jashtë vendit, të ardhura nga krimi dhe të vendosura në Shqipëri.

Së dyti, Shqipëria nuk ka një ekonomi të lirë tregu: monopolet dhe oligopolet kanë zhdukur konkurrencën. Kjo, sipas tij, e bën ekonominë të ngjashme me një ekonomi të centralizuar të shtetit socialist dhe me një treg kriminal. Është një ekonomi e mbyllur, pa konkurrencë dhe pa garë.

Së treti, ekonomia mbështetet fort te korrupsioni, i cili shfaqet kur ligji paraqitet si i rregullt, por shkelet, si dhe te kapja e shtetit, përmes ligjeve të hartuara me porosi”, u shpreh Buxhuku.

Ai e lidhi pesimizmin për vitin 2027 me mbështetjen e ekonomisë te flukset e paligjshme të parave. Sipas tij, këto burime nuk mund të vazhdojnë ta financojnë vendin pa kufi, pasi shtetet nga të cilat vijnë paratë mund të ndërhyjnë për të ndalur aktivitetet që prodhojnë dhe transferojnë kapital të paligjshëm.

“Edhe pa paketën fiskale, varësia nga paratë e zeza e bën të zymtë perspektivën për vitin 2027. Vendi rrezikon të kthehet në një ishull piratësh të Karaibeve, derisa shtetet prej të cilave merren paratë të thonë: ‘Stop’. SPAK po godet grupet e mëdha kriminale dhe pothuajse çdo muaj ka operacione të tilla. Pritet që institucioni ta shtojë ndjeshëm fuqinë goditëse. Bota demokratike nuk do të lejojë pafundësisht që të zhvillohen këto veprimtari. Ajo i njeh flukset që i merren dhe e di saktësisht se cilat biznese janë ngritur e mbahen në këmbë përmes tyre.

Operacionet, siç shihet, po shtohen. SPAK-u nuk është institucion që vepron sipas vullnetit politik në Shqipëri, por një zgjatim i institucioneve të BE-së dhe SHBA-ve për të luftuar trafikun. Çdo vend që paraqet këtë rrezikshmëri ka një SPAK. Goditjet do të intensifikohen dhe Shqipëria nuk do të jetë vend i sigurt për këto praktika. Populli nuk mbahet me ‘oksigjen’ nga ekonomia formale, por vendi po mbahet në këmbë nga paratë e zeza, flukset e të cilave kanë nisur të pakësohen. Shpresojmë që goditjet e SPAK-ut të mos e rrënojnë ekonominë”, shtoi ai.

Kreu i Konfindustrisë ngriti edhe mundësinë që qeveria të ketë parashikuar pasojat e goditjes së flukseve informale dhe të ketë hartuar paketën fiskale e buxhetin e vitit të ardhshëm për të gjetur burime alternative financimi. “Mund të jetë marrë parasysh edhe kjo anë e çështjes. Ndoshta për këtë është hartuar një paketë fiskale dhe një buxhet që të sigurojnë një sasi ‘oksigjeni’ për vitin tjetër, në rast se SPAK-u vazhdon goditjet dhe këto të ardhura shterojnë”, tha ai.

Buxhuku kritikoi gjithashtu mënyrën se si kostot fiskale përfundojnë te konsumatorët. Ai argumentoi se bizneset, për të mbrojtur fitimin, mund t’i pasqyrojnë shpenzimet shtesë në çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Duke qenë se Shqipëria është edhe ekonomi importuese, rritja e taksave, sipas tij, rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët.

“Nuk përcaktohet kështu se kush do ta paguajë barrën: në fund paguan qytetari. Biznesi përpiqet ta ruajë fitimin duke rritur çmimet. Kjo mund të vazhdojë deri në një pikë të caktuar, sepse Shqipëria nuk është vetëm ekonomi e centralizuar, por edhe importuese. Çdo rritje taksash i faturohet qytetarit. Biznesi ose falimenton, ose i rrit çmimet”, u shpreh ai.