Një zjarr i përmasave të mëdha në një fabrikë këpucësh në qytetin Jinjiang, në provincën Fujian të Kinës lindore, u mori jetën të paktën 28 personave.
Të lidhura
None found
Flakët nisën rreth mesditës së së enjtes në fabrikën Huiteng Shoes, ndërsa autoritetet bënë me dije se për disa orë ekzistoi dyshimi se në ambientet e godinës kishin mbetur ende njerëz të bllokuar.
Sipas mediave shtetërore kineze, disa persona u raportuan fillimisht si të izoluar brenda dhe pa mundësi kontakti me ekipet e shpëtimit. Ndërkohë, autoritetet kanë hapur hetime për të sqaruar arsyet e rënies së zjarrit.
Në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror kinez CCTV, zjarrfikësit shiheshin teksa përpiqeshin të vinin nën kontroll flakët, ndërsa re të dendura tymi të zi dilnin nga godina shumëkatëshe. Videoja tregonte gjithashtu persona të strehuar pranë dritareve dhe mbi çatinë e objektit, në kohën kur katet e poshtme ishin përfshirë nga zjarri.
Ministria kineze e Menaxhimit të Emergjencave njoftoi se në operacion u përfshinë 183 efektivë të zjarrfikjes dhe shpëtimit, si edhe 35 mjete zjarrfikëse, për shuarjen e flakëve, gjetjen e të mbijetuarve dhe asistencën për të plagosurit.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e përshkroi ngjarjen si një tragjedi me “humbje të rënda njerëzore” dhe kërkoi që rrethanat që çuan në zjarr të zbulohen sa më shpejt.
“Duhet të identifikohet sa më parë shkaku i aksidentit dhe personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi të plotë sipas ligjit”, deklaroi Xi.
Kjo ngjarje ndodh në një periudhë kur Kina ka intensifikuar kontrollet për mbrojtjen nga zjarri, pas disa rasteve tragjike të regjistruara muajt e fundit në ndërtesa banimi dhe objekte të tjera në vend.
