Britania e Madhe është tronditur nga një ngjarje e rëndë, pasi një vajzë 14-vjeçare u gjet pa shenja jete në një park në Uells, ndërsa për vrasjen e saj është vënë nën akuzë një bashkëmoshatar.
Të lidhura
None found
Trupi i Lily Anne Jones u gjet më 22 qershor në Dufferin Park, në qytetin Blaena, në jug të Uellsit. Familjarët kishin raportuar zhdukjen e saj dy ditë më herët, pasi adoleshentja ishte parë për herë të fundit pasditen e 20 qershorit në rrugët e qytetit.
Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Kurorës Gwent, mjekja ligjore Caroline Saunders deklaroi se vajza kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta me thikë në qafë dhe në zonën e bustit.
Për këtë krim akuzohet një djalë 14-vjeçar, i cili u paraqit para gjykatës më 29 qershor. Ai mohoi akuzën për vrasje dhe mbeti në paraburgim deri në zhvillimin e seancës së ardhshme.
Gjyqtarja Tracey Lloyd-Clark bëri të ditur se gjykimi do të fillojë më 23 nëntor dhe se pritet të zgjasë rreth katër javë.
Sipas policisë, i pandehuri është shtetas britanik dhe vjen nga zona e Blaenau Gwent, në juglindje të Uellsit. Ndërkohë, hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes janë ende në vijim.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal. Këshilltarja Lisa Catherine Wynette u shprehu ngushëllime të afërmve të viktimës, duke thënë se mendimet dhe lutjet e saj janë me familjen e Lily-t në këtë periudhë të vështirë, ndërsa kërkoi nga autoritetet që krimi të zbardhet plotësisht.
