Gjykata e Kurorës në Leeds e dënoi të premten e kaluar David Barraclough me 21 vjet e gjashtë muaj burg për vrasjen e bashkëshortes së tij 37-vjeçare, Carolan Barraclough.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari e cilësoi si cinike mënyrën se si i pandehuri ishte përpjekur të shpjegonte zhdukjen e gruas së tij.
Të lidhura
None found
Një video e kamerave të sigurisë në një komisariat në Britani ka regjistruar çastin kur 46-vjeçari David Barraclough pranoi se kishte vrarë bashkëshorten e tij.
Sipas dosjes hetimore, rrëfimi u bë rreth 15 ditë pas krimit. Në pamjet filmike, 46-vjeçari shihet teksa hyn në komisariat dhe fillimisht thotë se dëshiron t’i japë fund jetës. Më pas ai u deklaron efektivëve: “Unë e vrava gruan time”.
Sipas prokurorisë, Barraclough e kishte goditur bashkëshorten me çekiç, më pas ia kishte lidhur trupin me shirit ngjitës, e kishte mbështjellë me një jorgan dhe e kishte vendosur në një frigorifer në një dhomë të banesës së tyre.
Pas vrasjes, ai vijoi t’u gënjejë familjarët, duke dërguar mesazhe nga telefoni i viktimës sikur ajo ishte ende gjallë. Ai e bëri vajzën e saj të mendonte se e ëma ndodhej në spital dhe po merrte mjekim për një sëmundje.
Sipas akuzës, pas krimit Barraclough kishte nisur të kërkonte shërbime eskortash në internet, ishte regjistruar në aplikacionin e takimeve Tinder dhe kishte shpenzuar paratë e bashkëshortes në baret lokale.
Kur komunikoi me policinë, ai u përpoq ta paraqiste veten si viktimë, duke pretenduar se ishte “një djalë 58 kilogramësh që askush nuk do ta besonte”.
Sipas gjykatës, Barraclough kishte sajuar një rrjet gënjeshtrash, duke u thënë fëmijëve dhe personave të tjerë se bashkëshortja ishte e sëmurë dhe po trajtohej në spital. Ai kishte përdorur telefonin e saj për të dërguar mesazhe dhe për të mbajtur versionin e rremë të ngjarjeve, duke bërë që vajza e viktimës të besonte se po komunikonte me të ëmën.





