Një grua në Ukrainë ka regjistruar çastet e frikshme kur një raketë shpërtheu vetëm pak metra prej saj, teksa po filmonte veten në tarracën e një ndërtese banimi. Pamjet dramatike tregojnë goditjen e fuqishme në zonën ku ajo ndodhej.
Sulmi u regjistrua të dielën në Pisochyn, në periferi të Harkivit, qytet në verilindje të Ukrainës. Autoritetet rajonale njoftuan se tre persona humbën jetën: një djalë 16-vjeçar dhe dy gra, 19 dhe 51 vjeçe. Numri i të plagosurve ishte të paktën 22.
Të lidhura
None found
Regjistrimi, i bërë publik nga mediat britanike, nis me gruan që po realizon një video selfie në një zonë të banuar. Pas pak çastesh dëgjohet një zhurmë e fortë dhe më pas pamja ndriçohet nga shpërthimi. Videoja mbyllet teksa dëgjohen xhama që thyhen dhe britmat e saj.
Nëse gruaja i ka mbijetuar shpërthimit, mbetet ende e panjohur.
Raportimet e vendosin goditjen e raketës pranë një dyqani ushqimor dhe disa godinave të banimit. Në pamjet e regjistruara pas sulmit shihen shtëpi të dëmtuara, si edhe automjete të djegura apo të shkatërruara.
Ekipet e emergjencës shkuan në vendin e ngjarjes për të ndihmuar të plagosurit. Disa prej tyre kishin nevojë të merrnin trajtim mjekësor.
Goditja në rajonin e Harkivit ishte një nga sulmet e një vale më të gjerë ruse kundër Ukrainës gjatë së dielës. Sipas mediave, në dy qytete u shënuan gjithsej gjashtë viktima.
Këto sulme ndodhën ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, akuzonte Moskën për shkeljen e armëpushimit të njoftuar lidhur me infrastrukturën energjetike.
Më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte njoftuar se Rusia dhe Ukraina ishin dakordësuar që sulmet kundër objekteve energjetike të ndaleshin menjëherë. Zelensky, megjithatë, deklaroi se edhe pas njoftimit vazhduan sulmet me dronë dhe goditjet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti suprem i NATO-s për Europën, i drejtoi Moskës një paralajmërim: një sulm kundër cilitdo vend anëtar të Aleancës do të merrte një kundërpërgjigje të fuqishme.





