Vdekja e Abderrahim Fakir, një 42-vjeçar me origjinë marokene, gjatë një ndërhyrjeje të policisë ka shkaktuar protesta dhe përplasje të dhunshme në Bolonja të Italisë, ku dhjetëra efektivë mbetën të plagosur.
Të lidhura
None found
Incidenti ndodhi të dielën në lagjen Pilastro, pasi një banor njoftoi policinë se Fakiri po shfaqte sjellje të çrregullt dhe po godiste dyert e garazheve. Autoritetet thanë se efektivët tentuan fillimisht ta qetësonin dhe më pas përdorën sprej me piper për ta neutralizuar.
Në një video të transmetuar nga mediat italiane shfaqen dy policë të ulur mbi Fakirin, ndërsa ai qëndron i shtrirë me fytyrë nga toka dhe u kërkon vazhdimisht që të ndalojnë.
Pamjet tregojnë gjithashtu një civil që i mban këmbët, ndërkohë që personeli i ambulancës pret pranë vendit ku po zhvillohet ndërhyrja. Rreth dy minuta më vonë, Fakiri nuk reziston më dhe humbet ndjenjat. Efektivët e prangosin në duar dhe këmbë, përpara se të kuptojnë se ai nuk po reagon.
Prokuroria ka regjistruar një hetim për vrasje të paqëllimshme ndaj policëve dhe punonjësve mjekësorë që ndodheshin në vendngjarje. Prokurorët e Bolonjës po shqyrtojnë nëse forca e ushtruar nga efektivët dhe veprimet e personelit shëndetësor kanë ndikuar në vdekjen e 42-vjeçarit.
Dëshmitarë okularë u thanë mediave italiane se Fakiri ishte në gjendje të rënduar, por nuk ishte i armatosur dhe nuk paraqiste rrezik për askënd.
“Nuk mund të vdesësh në këtë mënyrë. Ata e vranë pa mëshirë dhe unë dua të vërtetën”, deklaroi motra e tij, Khadija Fakir.
Të hënën në mbrëmje, mijëra qytetarë u mblodhën në qendër të Bolonjës nën thirrjen “drejtësi për Abderrahim Fakir”. Tubimi filloi paqësisht, por më pas rreth 100 demonstrues u përleshën me policinë dhe u vunë zjarrin dy automjeteve. Autoritetet raportuan se nga trazirat u plagosën 64 efektivë policie.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kërkoi që të nxirret në dritë e vërteta për rrethanat në të cilat humbi jetën Fakiri. Megjithatë, ajo nënvizoi se “asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të rendit”.
Videon e incidentit kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, e përshkroi si tronditëse. Ai organizoi edhe një manifestim solidariteti me familjen e viktimës, ku mbesa e Fakirit, Yossra, deklaroi se xhaxhai i saj “meritonte ndihmë, të dëgjohej dhe të trajtohej me dinjitet”.
Duke reaguar pas përplasjeve, Lepore tha se pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishte mbledhur paqësisht për t’i qëndruar pranë familjes. Sipas tij, dhuna u shkaktua nga një grup i vogël protestuesish.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së policisë italiane, Domenico Pianese, doli në mbrojtje të efektivëve. Ai tha se, nisur nga pamjet e bëra publike, ndërhyrja ishte zhvilluar në përputhje me procedurat. Pianese kritikoi edhe vendimin për organizimin e protestës menjëherë pas ngjarjes, me argumentin se tubimi u krijoi mundësi grupeve radikale të përplaseshin me policinë.
Hetimi për vdekjen e Abderrahim Fakir vazhdon. Për zbardhjen e plotë të incidentit, autoritetet pritet të shqyrtojnë edhe regjistrimet e kamerave trupore të efektivëve.
