Demokrati Zohran Mamdani, i cili u betua sot si kryetar bashkie i Nju Jorkut, premtoi se do t’i jepte shembull botës duke treguar se e majta mund të qeverisë, në fjalimin e tij kur mori detyrën.
“Shumë do të na shikojnë. Ata duan të dinë nëse e majta mund të qeverisë (…) Ata duan të dinë nëse sfidat me të cilat përballen mund të zgjidhen. Pra, të bashkuar, të nxitur nga vendosmëria jonë, ne do të bëjmë atë që njujorkezët bëjnë më mirë: do të japim një shembull për botën”, tha kryebashkiaku 34-vjeçar.
Duke folur para mijëra njerëzve të mbledhur në të ftohtin jashtë bashkisë në Manhattan, kryebashkiaku i ri, anëtar i partisë së vogël Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA), u zotua të mos thyejë premtimet e tij të fushatës, të cilat u përqendruan në luftimin e kostos së lartë të jetesës.
“Ne do të qeverisim me gjerësi dhe guxim”
“Nga sot e tutje, ne do të qeverisim gjerësisht dhe me guxim. Ne mund të mos kemi gjithmonë sukses, por kurrë nuk mund të akuzohemi për mungesë guximi ose mospërpjekje”, tha ai.
Mediat e huaja shkruajnë se pas një betimi të parë të mërkurën në mbrëmje para Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, një armike e presidentit amerikan Donald Trump dhe një mbështetëse e vendosur e kryebashkiakut të ri, ishte pasdite e sotme që Mamdani u betua si kryebashkiak përballë Bernie Sanders, figurës kryesore të së majtës amerikane.
