Tërmeti me magnitudë 7.7 që goditi ishullin Flores në Indonezi ka shkaktuar të paktën 53 viktima, ndërsa rreth 5 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre.
Të lidhura
None found
Lëkundjet u regjistruan në një thellësi prej vetëm 15 kilometrash dhe dëmtuan mbi 1 mijë shtëpi, krahas dhjetëra spitaleve, shkollave dhe godinave publike.

Pasojat po përkeqësohen për shkak të tërmeteve pasuese, rrëshqitjeve të dheut dhe rrugëve të pakalueshme. Nga frika e shembjeve, shumë banorë po kalojnë natën jashtë, ndërsa në disa zona janë shfaqur mungesa të ushqimeve dhe ujit të pijshëm.
Spitalet që kanë pësuar dëme po ofrojnë shërbimet e tyre në tenda emergjence. Banorët dhe autoritetet vendore kanë bërë të ditur se ndihmat po mbërrijnë me vonesë, ndërsa disa fshatra vijojnë të jenë të izoluar.

Fshati Nitung, një nga zonat më të prekura, qëndroi pa energji elektrike dhe pa komunikime për gati dy ditë. Ekipet e shpëtimit mundën të mbërrinin vetëm pasi u hapën rrugët e bllokuara nga rrëshqitjet e dheut.
Ky konsiderohet tërmeti më vdekjeprurës në Indonezi që prej vitit 2022. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë operacionet, ndërsa po punohet për dërgimin e ndihmave te mijëra njerëzit e zhvendosur.
