GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë të vendosur në mungesë për Xhuliano Hoxhën, 31-vjeçarin e ekstraduar së fundmi nga Britania. Ai akuzohet se ishte pjesë e grupit kriminal që kultivoi 870 kg kanabis në Dronovicë të Beratit, aktivitet i zbuluar gjatë operacionit të zhvilluar në nëntor të 2022.
Në seancën e zhvilluar para gjyqtarit Bib Ndreca dhe prokurores Eëida Kaçkini, Hoxha nuk parashtroi asnjë pretendim. Mbrojtja e tij u përfaqësua nga avokati i caktuar nga shteti, Arben Peçi.
Të lidhura
None found
Prangosja e Hoxhës në Angli u bë në tetor të vitit të shkuar, ndërsa GJKKO kishte vendosur ndaj tij masën e arrestit me burg në prillin e kaluar.
Operacioni çoi në ndalimin e 105 personave, 95 prej të cilëve ishin gra të punësuara për pastrimin e lëndës së hashashit. Sera, në pronësi të Hamdi Dylit, ishte organizuar në 4 pjesë me sipërfaqe nga 2 dynym secila.
Në total u arrestuan 11 persona, ndërsa hetimet përfshinë edhe 57 efektivë të policisë së Beratit, mes të cilëve kishte drejtues të lartë. Për 7 punonjës u mor masa e përjashtimit të përjetshëm nga radhët e bluve.
Pasi shpalli moskompetencën, Prokuroria e Beratit ia përcolli çështjen SPAK-ut, me argumentin se veprimtaria drejtohej nga 2 grupe kriminale.
Disa muaj më parë, GJKKO dënoi 17 persona me një total prej 111 vitesh e 8 muajsh burg. Dënimet më të larta, nga 8 vite e 8 muaj burgim secili, u dhanë për Sadetin Hasajn dhe Blerim Xhekën, të cilët konsiderohen 2 drejtuesit e grupit kriminal.
