Pas valës së nxehtësisë së javës së kaluar, në të gjithë Europën janë regjistruar mijëra vdekje shtesë, kryesisht te personat e moshuar. Gjatë asaj periudhe, Parisi dhe qytete të tjera evropiane u përballën me temperatura që arritën deri në dhe mbi 40°C.
Të lidhura
None found
Sipas ekspertëve, vala e të nxehtit e muajit qershor, që zgjati përafërsisht nga 20 deri më 28 qershor, ishte më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Europë. Vetëm në Francë, Belgjikë dhe Holandë, si pasojë e saj, janë raportuar më shumë se 3.700 vdekje shtesë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se këto të dhëna mbeten paraprake dhe mund të pësojnë rritje. Në Francë u regjistruan 2.025 vdekje të tepërta, sipas ministres së Shëndetësisë, Stéphanie Rist, ose 29,1% mbi nivelin e zakonshëm. Ndonëse shumica e viktimave ishin mbi 65 vjeç, Instituti Francez i Shëndetit Publik konstatoi gjithashtu një shtim të ndjeshëm të vdekjeve edhe në grupmoshën 45-64 vjeç.
Gjatë periudhës 22-28 qershor, numri i vdekjeve në banesa u rrit me mbi 90% në krahasim me javën paraardhëse. Po ashtu, u shtuan edhe vdekjet në azile dhe në institucione shëndetësore.
“Niveli i vdekshmërisë mund të rritet edhe më shumë nga sa sugjerojnë këto shifra fillestare,” paralajmëroi autoriteti francez i shëndetit publik. Ndërkohë, Belgjika regjistroi mbi 1.200 vdekje shtesë mes 18 dhe 29 qershorit, ose rreth 39% më shumë se niveli normal.
“Një nivel i tillë vdekshmërie gjatë një vale të nxehti është i paprecedentë në vendin tonë,” thuhet në deklaratën e ministrisë, e cila nënvizoi se Belgjika kaloi “shtatë ditë tropikale me temperatura mbi 30 gradë celsius, si edhe netë jashtëzakonisht të ngrohta.”
Temperatura rekord u regjistruan gjithashtu në Gjermani, Poloni, Sllovaki, Republikën Çeke dhe Hungari, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicër u shënuan temperaturat më të larta të muajit qershor.
