Shërbimet europiane të sigurisë kanë bashkuar forcat në një hetim ndërkufitar për të përcaktuar burimin e një serie kërcënimesh të koordinuara për bomba, që gjatë kësaj jave prekën dhjetëra fluturime në Europë.
Raportimet e “Financial Times”, të mbështetura në deklaratat e zyrtarëve të inteligjencës, bëjnë me dije se dyshimet kryesore janë përqendruar te Rusia. Sipas disa drejtuesve të shërbimeve europiane, skenari rus shihet si më i mundshmi për shkak të motiveve të mundshme, teknikave të përdorura, rasteve të ngjashme në të kaluarën dhe provave fillestare të siguruara gjatë hetimeve.
Të lidhura
None found
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që pas këtyre veprimeve të jenë aktivistë pro-Kremlinit ose grupe hakerash. Megjithatë, zyrtarët nënvizojnë se procesi është ende në një fazë të hershme dhe nuk përjashtohet që përgjegjësit të mos identifikohen përfundimisht.
Edhe nëse konfirmohet se kërcënimet janë kryer nga persona me bindje pro-ruse, ende nuk dihet nëse shërbimet sekrete të Rusisë i kanë komanduar, nxitur apo miratuar operacionet dhe deri në çfarë mase. Sipas hetuesve, këto kërcënime nuk përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e aviacionit europian.
Mesazhet elektronike janë nisur nga llogari anonime, të vendosura në zona të ndryshme të botës. Një prej tyre është gjurmuar deri në Kolumbi, ndërsa një pjesë e madhe e email-eve ishte shkruar në gjuhët e vendeve ku ishin dërguar.
Në një mesazh të drejtuar medieve irlandeze, autorët pretenduan se kishin testuar një metodë të njohur si “multithreading”, kishin rekrutuar persona në Europë dhe kishin siguruar hyrje në pajisje, serverë dhe llogari të komprometuara.
Një kërcënim i dërguar të enjten në aeroportin Fiumicino të Romës u lidh me grupin ultranacionalist rus “Male State”. Themeluesi i organizatës, Vladislav Pozdnyakov, e ka mohuar se grupi ka lidhje me rastin.
Vidas Ksanas, përgjegjës për sigurinë e aeroporteve në Lituani, tha se i njëjti grup, ose persona që janë paraqitur si përfaqësues të tij, kishte dërguar edhe më herët kërcënime për bomba ndaj aeroporteve lituaneze. Në tetor të vitit 2023, mbi 1.500 alarme të rreme u drejtuan ndaj shkollave dhe kopshteve në Lituani. Autoritetet e Vilniusit fajësuan një “aktor shtetëror”, pa bërë publik identitetin e tij, ndërsa qarqet e inteligjencës ia atribuuan rastet aktivistëve rusë, të cilët dyshohej se ishin nxitur nga shërbimet e Kremlinit.
Një tjetër incident kibernetik është raportuar ndërkohë në Europë, këtë herë ndaj Bbt Se, kompanisë që është përgjegjëse për projektin e Tunelit të Brennerit, i cili lidh Austrinë me Italinë.
Gazeta austriake “Tiroler Tageszeitung” raportoi se persona të paautorizuar kishin hyrë në të dhëna të aksesueshme përmes internetit. Pas konstatimit të incidentit, kompania vuri në zbatim protokollet e sigurisë, izoloi sistemet e prekura dhe nisi ekzaminimet forenzike për të përcaktuar natyrën dhe shkallën e ndërhyrjes.
Sulmi nuk ka ndikuar në veprimtarinë operacionale të kompanisë. Hetimet për të dyja ngjarjet vazhdojnë, ndërsa autoritetet europiane po përballen me shqetësime gjithnjë e më të mëdha për kërcënimet hibride, ku përfshihen dezinformimi, alarmet e rreme dhe sulmet kibernetike ndaj institucioneve dhe infrastrukturës kritike.








