Spanja përgënjeshtron OBSH-në/ Ende asnjë vendim për kroçeren me dyshime për hantavirus

Spanja ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë një vendim për ankorimin e një kroçereje ku dyshohet një vatër e mundshme e hantavirusit, duke kundërshtuar njoftimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë spanjolle sqaron se çdo vendim do të merret vetëm pasi të analizohen të dhënat epidemiologjike që po mblidhen nga ekipi mjekësor në bord të anijes.

Të lidhura

None found

Sipas autoriteteve, gjatë kalimit të kroçeres në zonën e Kepit të Gjelbër do të vlerësohet edhe porti më i përshtatshëm për ndalim, ndërsa deri tani nuk është marrë asnjë vendim për ankorim në territorin spanjoll.

Deklarata e Madridit vjen pasi OBSH bëri me dije se Spanja kishte pranuar të priste anijen në Ishujt Kanarie, gjë që u mohua më pas nga autoritetet vendase.

Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se një ekip epidemiologësh do të kryejë inspektimin e anijes për të verifikuar gjendjen shëndetësore të pasagjerëve, për të identifikuar raste të tjera të mundshme dhe për të përcaktuar kontaktet me rrezik.

Sipas këtij vlerësimi do të vendoset edhe për hapat e mëtejshëm, përfshirë trajtimin mjekësor, riatdhesimin e pasagjerëve dhe itinerarin e anijes.

Nga ana tjetër, zyrtarë rajonalë në Ishujt Kanarie kanë shprehur shqetësim për situatën, duke kërkuar që anija të trajtohet në vendin ku ndodhet ose të drejtohet drejt një porti tjetër evropian.

Sipas të dhënave të deritanishme të OBSH-së, janë raportuar shtatë raste të dyshuara dhe të konfirmuara, ndërsa tre persona kanë humbur jetën.


Shtuar 5.05.2026 17:55

Tags: ,