Spanja “noton” kundër rrymës Europiane, miraton dekretin për të legalizuar 500 mijë emigrantë pa dokumente

Teksa pjesa më e madhe e Evropës është duke u mbizotëruar nga politikat anti-emigrim, qeveria e koalicionit e udhëhequr nga socialistët në Spanjë ka miratuar një dekret që, sipas saj do të legalizojë 500,000 emigrantë dhe azilkërkues pa dokumente.

Ky dekret pritet të hyjë në fuqi në Prill, dhe do të jetë i zbatueshëm për qindra mijëra azilkëkrues dhe persona të tjerë në Spanjë me status të parregullt. Si rregull i “panegociueshëm” për tu kualifikuar për legalizimin, aplikantët do të duhet të vërtetojnë se nuk kanë precedentë penalë dhe se kanë jetuar në Spanjë për të paktën pesë muaj ose kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare para 31 dhjetorit 2025.

Të lidhura

None found

Vendimi u njoftua pas mbledhjes javore të së martës nga ministrja e Spanjës për përfshirjen, sigurimet shoqërore dhe migracionin, Elma Saiz e cila tha se ishte një ditë historike teksa shtoi se iniciativa ishte hartuar për të thyer barrierat burokratike të së kaluarës.

“Ne po përforcojmë një model migrimi të bazuar në të drejtat e njeriut, në integrim dhe në bashkëjetesë që është i pajtueshëm si me rritjen ekonomike ashtu edhe me kohezionin social”, tha ajo.

Ky program është duke u miratuar me dekret mbretëror, gjë e cila do të thotë se nuk këkron miratim parlamentar. Në vitet e fundit, Spanja është bërë një përjashtim evropian për sa i përket emigracionit. Duke iu drejtuar parlamentit në tetor 2024, kryeministri, Pedro Sanchez, tha se vendi ndodhej në një udhëkryq demografik dhe kishte nevojë për migrim për të rritur ekonominë e tij dhe për të mbështetur shtetin e tij të mirëqenies.


Shtuar 27.01.2026 16:09