Vitalina Prening, 16-vjeçare nga Novosibirsku, akuzohet në Rusi për përgatitjen e një sulmi terrorist, anëtarësim në një organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në trajnime terroriste, raportojnë mediat ruse.
Të lidhura
None found
Më 10 gusht, emri i saj u përfshi në regjistrin e personave që autoritetet ruse i klasifikojnë si terroristë, ndërsa detajet e sakta të akuzave ndaj saj nuk janë bërë të ditura.
Njerëzit që e njohin Preningun e kanë përshkruar në rrjetet sociale si një adoleshente të talentuar, e apasionuar pas vizatimit, këndimit dhe vallëzimit sportiv, si dhe pjesëmarrëse në veprimtari publike të mbështetura nga shteti.
Rasti i saj nuk përbën një përjashtim.
Që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska, në vitin 2022, qindra adoleshentë rusë janë përballur me akuza për terrorizëm, sabotazh, ekstremizëm ose tradhti.
Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, ndjekja penale, arrestimi dhe burgosja e të miturve janë pjesë e një fushate gjithnjë e më të gjerë për të goditur kundërshtimin ndaj autoriteteve gjatë luftës.
“Veprimtari shumë më e madhe shtypëse”
Department One, organizatë ligjore dhe për të drejtat e njeriut me bazë në mërgim, e specializuar në mbrojtjen e rusëve të akuzuar për tradhti dhe spiunazh, deklaroi në një raport të korrikut se të paktën 779 të mitur figurojnë në regjistrin rus të terroristëve dhe ekstremistëve. Rreth 97 për qind e tyre janë shtuar në listë pas vitit 2022.
Ky regjistër përfshin jo vetëm personat e dënuar për vepra penale, por edhe individë që janë shpallur zyrtarisht të dyshuar ose ndaj të cilëve ka akuza aktive.
Organizata për të drejtat e njeriut Memorial bëri të ditur se të paktën 124 të mitur në Rusi aktualisht po përballen me procedime penale për motive politike.
Grupet e të drejtave të njeriut vërejnë se të miturit po hetohen gjithnjë e më shumë mbi bazën e ligjeve të debatueshme kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Në shumë raste, proceset zhvillohen larg publikut dhe me dyer të mbyllura.
Akuzat shtrihen nga aktivizmi kundër luftës dhe kritikat ndaj autoriteteve në internet, deri te pretendimet se shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë rekrutuar adoleshentë përmes rrjeteve sociale për sabotime dhe sulme terroriste në Rusi.
Sergei Davidis, i cili drejton projektin e Memorialit për mbështetjen e të burgosurve politikë, i tha REL-it se lufta ka sjellë një përshkallëzim të shtypjes politike në Rusi.
“Shteti shfaq veprimtari shumë më të madhe shtypëse në gjendje lufte”, deklaroi Davidis.
Arrestimi pas shpërndarjes së fletushkave
Arseny Turbin është një prej të miturve të përfshirë në këtë valë ndjekjesh. Ai ishte 15 vjeç kur u arrestua në vitin 2023.
Turbin kishte shpërndarë fletushka kundër presidentit Vladimir Putin, kishte hapur në Telegram kanalin “Rusia e Lirë” dhe kishte publikuar foto ku shfaqej me flamurin bardhë-blu-bardhë, simbol i përdorur nga protestuesit rusë kundër luftës.
Irina Turbina, nëna e tij, tha se i biri u kishte deklaruar hetuesve se e konsideronte Rusinë agresore në këtë luftë.
Gjatë një gjykimi të mbyllur, një gjykatë ruse e dënoi Turbinin me pesë vjet burgim në vitin 2024. Dy vjet më vonë, autoritetet ngritën një çështje të re ndaj tij, duke e akuzuar për pjesëmarrje në trazira në koloninë e vuajtjes së dënimit ku ndodhej.
Ivan Maltsev, 14 vjeç, besohet të jetë i mituri më i ri që figuron aktualisht në regjistrin rus të terroristëve dhe ekstremistëve. Ai u akuzua se kishte tentuar t’i vinte zjarrin një automjeti policie, pretendim që babai i tij e ka mohuar.
Maltsev jeton në qytetin siberian Barnaul dhe mbushi 14 vjeç në qershor. Në Rusi, kjo është mosha minimale e përgjegjësisë penale për vepra të rënda, përfshirë terrorizmin.
“Atmosferë frike”
Aktivistët për të drejtat e njeriut pretendojnë se strukturat ruse të sigurisë përdorin metoda provokuese ndaj të miturve.
Dmitry Zair-Bek, drejtues i Department One, i tha REL-it se të rinjtë nxiten të formojnë grupe dhe të shkruajnë deklarata të ashpra, ndërsa provokohen me komente që i shtyjnë të reagojnë.
Sipas Zair-Bek, më pas zyrtarët e sigurisë i orientojnë këta të rinj të cenueshëm drejt një veprimi që mund të cilësohet zyrtarisht si vepër penale, duke krijuar kështu bazën për hapjen e një çështjeje kundër tyre.
“Ajo që është monstruoze është se fëmijët dhe adoleshentët po përndiqen për gjëra për të cilat nuk duhet të përndiqeshin fare”, tha ai, duke përmendur “shakatë e pamenduara” në rrjetet sociale, mesazhet në forumet e shkollave dhe bisedat gjatë lojërave kompjuterike.
Olga Romanova, drejtuese e grupit për të drejtat civile Russia Behind Bars, deklaroi për REL-in se karakteri i fshehtë i çështjeve të terrorizmit u jep autoriteteve ruse të sigurisë mundësinë të ashpërsojnë dënimet.
“Rastet e terrorizmit, hetimet dhe gjykimet janë plotësisht të mbyllura”, tha Romanova. “Thuhet se bëhet fjalë për informacion të klasifikuar, ndaj nuk ka nevojë të provohet asgjë”.
Zair-Bek vlerëson se shtimi i këtyre çështjeve penale ka edhe një synim më të gjerë: përhapjen e frikës në shoqëri.
“E gjithë atmosfera e frikës që krijohet, përfshirë edhe përmes hapjes masive të rasteve për terrorizëm dhe ekstremizëm, lidhet me faktin se shtypja funksionon në kohën tonë, në shekullin XXI, vetëm kur ai vazhdimisht rritet”, tha ai./ REL
