Një darkë e shoqëruar me alkool në New Mexico, SHBA, përfundoi tragjikisht pas një mosmarrëveshjeje për një tortillë dhe salcën pikante.
Të lidhura
None found
Ervin Joaquin Gutierrez, 22 vjeç, u vu në pranga me akuzën se vrau kushëririn e tij 25-vjeçar, Nathaniel Cavazos. Ngjarja dyshohet se ndodhi pas një konflikti në një apartament në Albuquerque.
Dokumentet hetimore tregojnë se Gutierrez kishte shkuar atë pasdite për të takuar Cavazos dhe një kushëri tjetër. Pasi blenë ushqime, të tre u kthyen në apartament, ku nisën të përgatisnin enchilada me chile jeshile dhe të konsumonin alkool, sipas mediave.
Situata ndryshoi papritur gjatë darkës, kur Gutierrez këmbënguli se salca e hedhur mbi tortillan e tij ishte shumë më pikante sesa ajo që ndodhej në pjatën e Cavazos.
22-vjeçari shkoi deri aty sa i kërkoi kushëririt ta provonte ushqimin e tij.
Cavazos iu përgjigj se tortillat që po konsumonin ishin të njëjta për të gjithë, ndaj, sipas tij, shija nuk mund të ishte e ndryshme.
Përplasja verbale vijoi edhe pasi u larguan nga tryeza. Teksa tensioni po shtohej, njëri prej kushërinjve sugjeroi të nxirrnin qenin për shëtitje, duke shpresuar se kjo do ta qetësonte situatën.
Megjithatë, sapo dolën jashtë apartamentit, Gutierrez dhe Cavazos nisën të përlesheshin fizikisht.
Kushëriri i tretë dëshmoi se Cavazos e goditi disa herë Gutierrez, duke e lënë të gjakosur, dhe më pas u largua.
Hetuesit thonë se pikërisht në atë çast Gutierrez nxori një armë zjarri.
Para se të qëllonte tre ose katër herë drejt Cavazos, 22-vjeçari dyshohet se i tha: “Jemi familje! Jemi familje! Si mund të ma bësh këtë?”.
Rreth orës 23:00, policia mbërriti në vendngjarje dhe gjeti 25-vjeçarin pa shenja jete. Trupi i tij ndodhej në një pellg gjaku, në një shteg ndërmjet ndërtesave të kompleksit të apartamenteve.
Autoritetet gjetën pranë viktimës edhe një armë, e cila, sipas tyre, ishte në pronësi të Cavazos.
Gutierrez u largua nga zona pas të shtënave. Gjatë hetimeve u zbulua gjithashtu një mesazh që ai kishte dërguar në Snapchat, ku pretendonte se kushëriri e kishte kërcënuar me jetë.
“A ka vdekur vërtet? Nuk doja ta vrisja, por nuk doja që ai të më vriste mua”, dyshohet se kishte shkruar 22-vjeçari.
Arrestimi i Gutierrez u krye të premten në mbrëmje. Ai u dërgua në qendrën e paraburgimit të Bernalillo County dhe tashmë përballet me akuzën për vrasje.
