Rebelët e grupit Houthi morën përsipër të hënën sulmin ndaj një anijeje me flamurin e shtetit të Amerikës Qendrore, Belizë, që po udhëtonte përmes ngushticës Bab el-Mandeb.
Një anije tjetër kërkoi mbështetje ushtarake pasi njoftoi për një tjetër sulm me raketë, në rajon.
Përmes një deklarate grupi Houthi tha se anija e transportit të mallrave “Rubymar” me flamurin e Belizës po udhëtonte nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Bullgarisë.
Agjencia detare e Britanisë së Madhe, UKMTO, e cila mbikëqyr ujërat e Lindjes së Mesme, tha të hënën se autoritetet ushtarake kishin bërë të ditur se ekuipazhi kishte braktisur anijen, e cila ishte përfshirë në një incident që u njoftua të dielën, rreth 65 kilometra në jug të qytetit bregdetar Al Mukha, në Jemen.
“Anija dhe ekuipazhi janë të sigurtë”, tha agjencia detare britanike.
Firma britanike e sigurisë ‘Ambrey’ tha se anija e dytë me flamur grek, që zotërohet nga një linjë transporti amerikane, po udhëtonte nga Argjentina drejt portit të Adenit në Jemen.
Agjencia detare e Britanisë së Madhe njoftoi për një incident rreth 185 kilometra në lindje të Adenit, duke bërë të ditur se u sinjalizua mbi një shpërthim “në afërsi të anijes”. Agjencia tha se anija dhe ekuipazhi i saj ishin të sigurt dhe po i drejtoheshin portit.
Rebelët Houthi kanë kryer sulme të shumta që nga nëntori, duke përdorur drone, raketa dhe varka për të goditur anijet në Detin e Kuq. Rebelët e mbështetur nga Irani thonë se po veprojnë në solidaritet me palestinezët në Gazë.
Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme hakmarrëse në Jemen, për të rrëzuar dronët dhe raketat Houthi me qëllim mbrojtjen e rrugës së rëndësishme të transportit në Detin e Kuq.
Të shtunën, Shtetet e Bashkuara kryen pesë sulme në zonat e Jemenit të kontrolluara nga grupi Houthi që mbështetet nga Irani.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se goditi për vetëmbrojtje tre raketa, një nëndetëse dhe një anije pa pilot