Raportohet për të vdekur pas një sulmi në një universitet në Pragë, sulmuesi eliminohet

Policia në Pragë të Republikës Çeke, ka thënë se ka persona të vrarë dhe të plagosur, si pasojë e një sulmi me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit.

Mediat çeke po raportojnë për 10 persona të vrarë dhe për nëntë të plagosur rëndë.

Policia ka thënë se sulmuesi është eliminuar dhe e gjithë ndërtesa është duke u evakuuar.

Ministri i Brendshëm çek Vit Rakushan, ka thënë për mediat çeke se ka të vdekur, por se nuk mund të spekulojë për shifrën përfundimtare.

Disa studentë kanë treguar në platformën X – të njohur më parë si Twitter, se kanë mbyllur dyert me mjete të ndryshme për të parandaluar sulmuesin.

Një email që i është dërguar stafit të universitetit, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, ka paralajmëruar personelin për të shtënat.

“Qëndroni në vend, mos shkoni askund nëse jeni nëpër zyra, mbyllni dyert me orendi dhe ndalni dritat”.

Policia u ka kërkuar banorëve të Pragës që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Autoritetet e kanë mbyllur gjithë sheshin Jan Palah, ku është ndërtesa e fakultetit, dhe zonën përreth.

Kryeministri çek Petr Fiala, ka thënë se do të anulojë të gjitha planet, pas “ngjarjes tragjike”.

Ambasada e Kosovës në Çeki, u ka kërkuar të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë në Pragë, që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Ambasada ka thënë se të gjithë qytetarët mund të kërkojnë ndihmë konsullore në +420 257 217 775.

Universiteti i Karlit është në qendër të Pragës, rreth 500 metra prej Urës historike të Karlit – atraksioni kryesor për turistët.

Krimet me armë janë të rralla në Republikën Çeke.

Në dhjetor të vitit 2019, një 42-vjeçar ka vrarë gjashtë persona në një qendër pritjeje në spital, në qytetin lindor Ostravë, para se të kryente vetëvrasje.


Shtuar 21.12.2023 17:24