Princi Harry ka shtuar së fundmi një punë tjetër në CV e tij, pasi hoqi dorë nga titujt mbretëror dhe u largua përfundimisht nga pallati së bashku me Meghan.
E! News shkruan që Duka i Sussex është bërë drejtues në BetterUp Inc., i cili është një aplikacion që ofron trajnim profesional dhe këshillim për shëndetin mendor. Sipas bashkëthemeluesit dhe CEO së këtij programi, Alexi Robichaux, Princi Harry si anëtar i skuadrës drejtuese të BetterUp, do të zgjerojë punën që bën për vite me radhë, pasi ai edukon dhe frymëzon komunitetin e tyre për rëndësinë e përqëndrimit në shëndetin mendor.
Harry është shprehur shumë i lumtur që i është dhënë mundësia për t’u bërë pjesë e kësaj kompanie dhe për të ndihmuar njerëzit për t’i kthyer dhimbjet në qëllim të mirë dhe për t’i dhënë prioritet shëndetit mendor. Më herët ai ka treguar se ka pasur shumë probleme me shëndetin mendor pas vdekjes tragjike të nënës së tij, Princeshë Dianës. Në lidhje me këtë temë ai diskutoi së bashku me partneren Meghan Markle, në intervistën përballë Oprah Winfrey, që bëri xhiron e botës.