Gjatë vitit 2025, kompensimi që Elon Musk përfitoi nga Tesla ishte afërsisht 2.5 milionë herë më i madh se paga e punonjësit mesatar të kompanisë, sipas një raporti të AFL-CIO.
Të lidhura
None found
Paketa e Musk-ut, me vlerë 158.3 miliardë dollarë, ndikoi fuqishëm në thellimin e diferencës së pagave ndërmjet drejtuesve të korporatave dhe punëtorëve amerikanë. AFL-CIO, federata më e madhe sindikale në Shtetet e Bashkuara, konstatoi se gjatë vitit 2025 hendeku mes drejtuesve të kompanive më të mëdha dhe punonjësve të tyre u zgjerua më tej.
Nëse Musk nuk përfshihet në përllogaritje, drejtuesit ekzekutivë të kompanive të S&P 500 morën mesatarisht 312 herë më shumë se punonjësi mesatar. Një vit më herët, në 2024, ky raport ishte 285 me 1.
Për vitin 2025, kompensimi mesatar i një CEO-je të S&P 500, pa llogaritur Musk-un, arriti në 22.8 milionë dollarë, nga 18.9 milionë dollarë që ishte një vit më parë. Kur në përllogaritje futet edhe shpërblimi i kreut të Tesla-s, raporti mesatar i pagave ngjitet në 5,387 me 1.
Gazeta “The Guardian” raporton se përfshirja e paketës së jashtëzakonshme të Musk-ut e çon kompensimin mesatar në 340.1 milionë dollarë.
Sipas AFL-CIO, vetëm gjatë vitit 2025 Musk siguronte çdo pak sekonda një shumë të barabartë me pagën mesatare të një punonjësi të Tesla-s. Raporti evidenton gjithashtu se shumica e CEO-ve të S&P 500 fituan brenda një dite më shumë se të ardhurat vjetore të punëtorit mesatar amerikan.
Këto të dhëna paraqiten në raport si dëshmi e thellimit të pabarazisë së të ardhurave në ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Shifrat e cituara tregojnë se pesha e punëtorëve në të ardhurat kombëtare amerikane ka zbritur në pikën më të ulët që prej periudhës pas Luftës së Dytë Botërore.
Në analizën e AFL-CIO përfshihen edhe të ardhurat e presidentit amerikan Donald Trump gjatë vitit 2025.
Të dhënat e raportit tregojnë se Trump përfitoi rreth 2.2 miliardë dollarë, të siguruara kryesisht nga zotërimet e tij në kriptovaluta. Krahasuar me vitin 2024, kjo shumë përbën një rritje prej afro 254%.
Një punëtori mesatar amerikan do t’i duheshin rreth 43,154 vjet për të grumbulluar të njëjtën shumë.
Sekretari-arkëtar i AFL-CIO, Fred Redmond, kritikoi përqendrimin e pasurisë në këto përmasa. Ai argumentoi se politikat ekonomike të administratës Trump dhe të drejtuesve të korporatave kanë favorizuar të pasurit, duke dëmtuar interesat e punëtorëve.
