Në përfundim të vizitës katërditore në Francë, Papa Leoni XIV i bëri thirrje Europës të punojë më shumë për paqen dhe të mos i mbyllë dyert për emigrantët. Mesazhin e dha në Metz, një qytet që mishëron kalimin nga konfliktet europiane te pajtimi.
Të lidhura
None found
Papa tha se marrëdhëniet mes njerëzve dhe shteteve po ashpërsohen, ndërsa mbajtja e fjalës po humbet vlerën dhe gënjeshtra e mashtrimi po shfaqen pa ndrojtje. Sipas tij, Europa mund ta ndalë këtë prirje përmes respektit të ndërsjellë. Përvoja e tetëdhjetë viteve të fundit, theksoi ai, ka treguar se pikëpamjet, kërkesat dhe interesat e ndryshme mund të mbrohen me takim e dialog, në vend të përplasjes.
Metz-i mbart një simbolikë të veçantë për këtë thirrje: gjatë luftërave europiane, qyteti ka kaluar disa herë nga Franca te Gjermania dhe anasjelltas. Sot ai dëshmon se armiqësia mes dy vendeve mund t’i lërë vendin bashkëpunimit. Vizita ishte njëkohësisht homazh për Robert Schumanin, një prej etërve themelues të Europës së bashkuar.
Schumani, në detyrën e ministrit të Jashtëm të Francës, kishte nxitur pajtimin franko-gjerman dhe bashkimin europian. Duke e përmendur në fjalimin e tij, Leoni XIV vuri në dukje nevojën për të shembur muret që ndajnë njerëzit dhe shtetet. Ai paralajmëroi për shtimin e konflikteve, e cilësoi të drejtën ndërkombëtare dhe multilateralizmin si kundërpeshat më të mira ndaj synimeve për dominim dhe kritikoi atë që e quajti “iluzioni i riarmatosjes”.
Qëndrimet e Papës u lexuan edhe si kritikë ndaj politikave të administratës amerikane të presidentit Donald Trump, sidomos për mënyrën si ajo i trajton angazhimet ndërkombëtare, megjithëse Leoni XIV nuk e përmendi presidentin amerikan me emër. Në mbyllje të vizitës, ai e paraqiti Metz-in si provë se pajtimi mund të arrihet kur gjendet guximi për të këputur “zinxhirët e mllefit”.
