Në krahun lindor të Europës, askush nuk ka ndërmend të braktisë aleancën atlantike, ose më saktë, udhëheqjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Kjo shpjegon pse fjalimi i gjeneralit amerikan Alexus Grynkewich ishte ndër më të priturit dhe më të duartrokiturit në “Forumin e Varshavës për Sigurinë”, sipas mediave të huaja.
Grynkewich mban postin e komandantit suprem të forcave europiane të NATO-s, një rol që tradicionalisht u është caktuar vetëm ushtarakëve amerikanë. Përveç kësaj, ai drejton edhe Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara.
Kjo përgjegjësi e dyfishtë i siguron atij një audiencë të gjerë, pasi është emëruar nga Donald Trump, shkruan Corriere della Sera.
Gjenerali e hapi fjalimin me shprehjen e vjetër “Nëse dëshiron paqen, përgatitu për luftë”, ndërsa prezantoi atë që e quajti “plani i fitores së aleancës” dhe theksoi se mbështetja e SHBA për aleatët europianë është e garantuar.
“Ky plan mbështetet nga të 32 partnerët e Aleancës. NATO-ja ka një avantazh thelbësor: ne mbikëqyrim territorin përreth përmes një sistemi të sofistikuar të inteligjencës, i cili na mundëson të përpunojmë sasi të mëdha të dhënash me anë të algoritmeve. Është shumë e vështirë që të kapemi në befasi. Prandaj, do të jemi në gjendje të frenojmë çdo sulm fillestar. Nëse do të jetë e nevojshme, do ta shkatërrojmë dislokimin e forcave armike, duke vënë në veprim forcat tona konvencionale: ushtrinë tokësore, aviacionin, marinën, por edhe njësitë kibernetike. Në këtë mënyrë, nuk do ta lejojmë armikun të pushtojë as edhe një pjesë të vogël të territorit tonë”, u shpreh Grynkewich.
Gjenerali sqaroi se kjo nuk nënkupton se ata e shohin një konflikt si të afërt; ata duan të jenë të përgatitur për atë që është e mundur, jo vetëm për atë që është e mundshme. Ai shtoi detaje teknike dhe këmbënguli se NATO tashmë mund të mbështetet në një epërsi të qartë teknologjike dhe në kontingjente ushtarake të stërvitura.
Në fund, ai renditi prioritetet e SHBA: “Në vend të parë është siguria jonë kombëtare; në vend të dytë, siguria e kontinentit tonë; në vend të tretë, rajoni Indo-Paqësor; dhe në vend të katërt, Europa”.




