Manipuloi videon elektorale, arrestohet zyrtari i opozitës në Indi

Kreu i rrjeteve sociale të Partisë së Kongresit, Arun Reddy është ndaluar për një video të rreme të ministrit të brendshëm Amit Shah.

Teksa në vend vijon procesi i zgjedhjeve të përgjithshme, zyrtari i lartë i partisë kryesore të opozitës u ndalua për videon ku në mënyrë të rreme shihet ministri i brendshëm Shah që zotohet në fushatë të ndalojë mbështetjen për miliona indianë të komuniteteve të varfra.

Zëdhënësja e partisë Shama Mohamed konfirmoi arrestimin e Reddy por mohonte se ai ishte përgjegjës për krijimin apo publikimin e pamjeve të manipuluara.

Ministri Shah konsiderohet si njeriu dytë më i fuqishëm në vend pas kryeministrit Narendra Modi, dhe dyshja kanë qenë aleatë politikë prej dekadash.

Autoritetet sekuestruan mjetet elektronike të Reddy dhe mediat thonin se ai akuzohet se ka bërë vetë redaktimin e videos.

Zv. kreu i policisë së Delhi, Hemant Tiwari, tha se Reddy “u arrestua për hetimin e videos së redaktuar të ministrit dhe po mbahet në paraburgim.

Shah po bën fushatë për partinë e Modi në pushtet BJP, e cila pritet të fitojë sërish zgjedhjet gjigante indiane, që zgjasin deri në gjashtë javë.

Qeveria e Modi ka vendosur në qendër të politikave të saj shumicën etnike Hindu të vendit, duke lënë rreth 220 milionë muslimanët e vendit të zhgënjyer e te kërcënuar nga retorika e pazakontë nacionaliste.

Prej nisjes së procesit të votimit muajin që shkoi, Modi e Shah kanë vijuar retorikën ndarëse me qëllim nxitjen e votimit dhe marrjen e votave.

Muajin e kaluar në një prej fjalimeve të tij, kryeministri Modi iu referua muslimanëve si “infiltrues” apo “ata që bëjnë më shumë fëmijë”, duke sjellë dënim dhe ankesa zyrtare nga opozita, shkruan rrjeti The Guardian.


Shtuar 4.05.2024 17:51