Grupet e të drejtave të njeriut bëjnë të ditur se autoritetet në Venezuelë kanë liruar një numër të konsiderueshëm të burgosurish politikë, vetëm pak ditë pas takimit në Nju Jork mes presidentes së përkohshme, Delcy Rodriguez, dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Të lidhura
None found
Ndër personat e liruar në orët e para të së shtunës ishte edhe Wilder Vázquez. Ai ishte dënuar në vitin 2018 me pesë vjet burg, pasi akuzohej për komplot për vrasjen e ish-Presidentit Nicolas Maduro.
Gjithashtu u konfirmua lirimi i Miguel Castillo Centeno, i cili kishte deklaruar se mbahej në mënyrë arbitrare në paraburgim që nga qershori i vitit 2019.
Në mesin e të liruarve ishte edhe Frank Cabanas. Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, ai kishte qëndruar në burg për nëntë vjet, pavarësisht problemeve shëndetësore të shfaqura gjatë vitit të fundit, pasi ishte lidhur me vdekjen e një oficeri policie.
Ndërkohë, sipas BBC-së, përfaqësues të opozitës kanë përsëritur kërkesat për zhvillimin e zgjedhjeve të lira pas bisedimeve mes Rodriguez dhe Trump.
Qeveria e Rodriguez kishte liruar më herët qindra të burgosur, në kuadër të një përpjekjeje për pajtim pas arrestimit të Maduros. Megjithatë, procesi u ngadalësua ndjeshëm në prill, kur Rodriguez deklaroi se programi “po i afrohej fundit”.
Autoritetet venezueliane nuk kanë dhënë ende një reagim për lirimet e fundit dhe nuk kanë sqaruar nëse ato lidhen me bisedën e Rodriguez me presidentin amerikan.
Rodriguez është përpjekur ta paraqesë administratën e saj të përkohshme si më të hapur ndaj kundërshtimit politik, ndërsa synon njëkohësisht të sigurojë mbështetjen e SHBA-së. Programi për lirimin e të burgosurve ishte një nga lëshimet kryesore që qeveria e saj i bëri Uashingtonit.
