Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë Korenë e Jugut, ku është regjistruar temperatura më e lartë që prej nisjes së matjeve meteorologjike në vitin 1904.
Të lidhura
None found
Të dhënat e Administratës Meteorologjike të Koresë (KMA) tregojnë se termometri në Yangsan, në juglindje të vendit, arriti në 42.5 gradë Celsius të dielën pasdite. Kjo shifër përbën një rekord historik.
Yangsan është ndër zonat më të prekura nga vala e të nxehtit, me temperatura mbi 40°C për të pestën ditë radhazi. Situata është e ngjashme edhe në Daegu, Busan dhe Gyeongju. Në këtë të fundit u shënua temperatura 40.3°C, niveli më i lartë i tetë viteve të fundit.
Për t’u mbrojtur nga nxehtësia e madhe, qytetarët kanë zgjedhur të qëndrojnë në qendra tregtare, kafene dhe ambiente të pajisura me kondicionerë. Në Seul, shumë prej tyre janë drejtuar edhe te hapësirat me spërkatje uji, të ngritura për t’u ofruar freski banorëve.
“Është shumë vapë për të qenë jashtë dhe për të bërë diçka. Nuk mund të mendoj për asgjë tjetër përveçse të qëndroj në vende me ajër të kondicionuar, si shtëpia, qendrat tregtare apo kafenetë”, tha një qytetar.
Temperatura të pazakonta janë regjistruar edhe në Korenë e Veriut, ku në disa rajone kanë arritur deri në 40°C. Në Phenian, gjatë një jave temperaturat e natës nuk kanë zbritur nën 25°C.
Mbi 20 rajone të Koresë së Jugut janë përfshirë në paralajmërimin emergjent për valë të nxehti. Kjo është një kategori e re, e vendosur në përdorim këtë vit për t’iu përgjigjur temperaturave në rritje dhe aktivizohet kur parashikohen 38°C ose më shumë.
Shërbimi meteorologjik u ka kërkuar banorëve të ndalojnë menjëherë çdo aktivitet në ambiente të hapura. Sipas paralajmërimit, edhe qëndrimi në ambiente të mbyllura pa ajër të kondicionuar mund të përbëjë rrezik.
“Zhvendosuni menjëherë në një vend të freskët, si një qendër ftohjeje ose një zonë me hije, dhe konsumoni sa më shumë lëngje”, rekomandoi KMA.
Kryeministri Han Seong-suk ka urdhëruar autoritetet vendore të shtojnë kontrollet ndaj personave dhe grupeve më të rrezikuara. Ai kërkoi gjithashtu që të sigurohet furnizimi i pandërprerë me energji elektrike dhe ujë.
Parashikimet flasin për një përhapje të mëtejshme të të nxehtit drejt brendësisë së vendit, e nxitur nga erërat lindore. Në Seul pritet që temperatura të shkojë në 37°C, ndërsa në provincat Gyeongsang mund të kalojë 39°C, duke krijuar kushte të rrezikshme për jetën.
Ndërkohë, autoritetet po ndjekin me vëmendje edhe tajfunin Dolphin, i cili po afrohet drejt brigjeve juglindore të Kinës. KMA vlerëson se rruga që do të ndjekë tajfuni do të ndikojë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e valës së të nxehtit.
Nëse Dolphin drejtohet nga Kina lindore, ai mund të shtojë lagështinë dhe ta bëjë vapën edhe më të rëndë në Kore. Në rast se afrohet më pranë gadishullit Korean, tajfuni mund të sjellë erëra të forta, vranësira dhe reshje shiu, duke ulur përkohësisht temperaturat.
