Një sulm me dron i organizatës Hezbollah ndaj një baze ushtarake në brendësi të territorit të Izraelit, pranë qytetit Binyamina, vrau katër ushtarë dhe plagosi rëndë të paktën shtatë të tjerë, njoftoi ushtria izraelite. Sipas shërbimit kombëtar izraelit të emergjencave numri i të lënduarve nga ky sulm arriti në 61 persona.
Që nga fillimi i operacionit tokësor izraelit në Liban, ky është sulmi më i rëndë i bërë nga grupi militant Hezbollah, i konsideruar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Hezbollahu deklaroi se sulmi ishte një kundërpërgjigje për sulmet ajrore në Bejrut që vranë 22 persona të enjten.
Më vonë, Hezbollahu shtoi se objektiv i sulmit kishte qenë brigada elitare e forcave izraelite në Golan dhe se ishin përdorur dhjetëra raketa që ishin lëshuar me qëllimin për të mbingarkuar sistemin izraelit të mbrojtjes ajrore, ndërkohë që “skuadronë dronësh” kishin arritur të depërtonin më thellë.
Drejtuesit më të lartë ushtarakë të Izraelit shkuan menjëherë në vendndodhje dhe autoritetet njoftuan se po hetojnë rrethanat e sulmit dhe se si arriti një prej dronëve të godasë bazën ushtarake izraelite në brendësi të vendit.
Sulmi u bë në të njëjtën ditë që Shtetet e Bashkuara njoftuan se po dërgonin një sistem avancuar të mbrojtjes ajrore në Izrael, së bashku me personelin përkatës amerikan, për të përforcuar mbrojtjen nga sulmet me raketa.