Daniela Largo, 32-vjeçarja që u shpëtua pasi qëndroi për gati 37 orë nën rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmeti në Pereira të Kolumbisë, ka vdekur sot në spital. Lajmi u konfirmua për AFP-në nga familja e saj, ndërsa ajo ishte nxjerrë e gjallë të martën.
Operacioni për shpëtimin e Largos ishte kthyer në një shenjë shprese për kolumbianët.
Të lidhura
None found
Momenti kur ajo u largua nga rrënojat me barelë, mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve, emocionoi vendin e goditur rëndë. Sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive, kërkimet vazhdojnë ende për të paktën 400 persona të zhdukur.
32-vjeçarja la pas një djalë 12-vjeçar.
Me magnitudë 7.4 ballë, tërmeti ishte më i fuqishmi që ka goditur Kolumbinë gjatë këtij shekulli. Bilanci më i fundit i autoriteteve raporton të paktën 294 viktima dhe afro 4,000 të plagosur.
Pereira dhe Cali renditen mes qyteteve që kanë pësuar dëmet më të mëdha.
Gjashtë ditë pas lëkundjeve, forcat e kërkim-shpëtimit në zonat më të prekura po largojnë pjesë çatish dhe muresh me ndihmën e makinerive të rënda.
Ndërsa disa përpiqen të zbusin dhimbjen e tragjedisë duke përqafuar njerëzit, të tjerë po organizojnë grumbullimin e fondeve për viktimat e strehuara në qendra pritëse.
“Do të doja që e gjithë kjo të mbaronte shpejt”, deklaroi Sandra Milena Perez, nëna e Daniela Largos, gjatë një bisede telefonike me Agence France-Presse.
