Katie Zachariah pranon se nuk e ka kaluar provimin e avokatisë, organizata kërkon shqyrtim në Kaliforni

Katie Zachariah, sekretarja e re e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, ka konfirmuar se nuk e ka kaluar asnjëherë provimin e avokatisë në Shtetet e Bashkuara. Pranimi vjen ndërsa ajo është prezantuar publikisht si avokate dhe është përshkruar me këtë titull edhe nga presidenti Donald Trump.

Në lidhje me këtë çështje, organizata jofitimprurëse Campaign for Accountability i është drejtuar me një ankesë Shoqatës së Avokatëve të Kalifornisë. Ajo kërkon të shqyrtohet nëse Zachariah ka shkelur ligjin duke u paraqitur si avokate pa zotëruar licencën përkatëse.

Të lidhura

None found

Gjatë intervistës së të enjtes me komentatorin konservator Jack Posobiec, Zachariah tregoi se i ishte nënshtruar provimit të avokatisë në Kaliforni në vitin 2011, por kishte mbetur. Sipas saj, vëmendja në atë kohë ishte përqendruar te martesa dhe përgatitjet për t’u zhvendosur në Kinë, ku do të shkonte për shkak të punës së bashkëshortit.

E diplomuar në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit Pepperdine, ajo shpjegoi se rezultatit të provimit nuk i kishte dhënë shumë peshë. Zachariah tha se kalimi i tij nuk ishte i nevojshëm për punën që do të ushtronte në Kinë.

Ajo kundërshtoi pretendimet se ishte paraqitur ndonjëherë si avokate e licencuar për të punuar në SHBA dhe tha se çështja ishte shoqëruar me dezinformim. Sipas deklarimit të saj, nuk kishte pohuar kurrë se zotëronte një licencë për ushtrimin e avokatisë.

Debati mori sërish vëmendje pas publikimit të një raportimi nga Wall Street Journal. Gazeta shkruante se Zachariah nuk ishte pajisur me licencë avokatie në asnjë prej shteteve amerikane ku kishte banuar.

Përpara këtij raportimi, gazetarët e kishin pyetur gjatë një udhëtimi të Trump drejt Alaskës se në cilin shtet e kishte kaluar provimin e avokatisë. Ajo ishte përgjigjur duke thënë se kishte shkuar në Kinë, çka solli paqartësi dhe pyetje për kualifikimet e saj profesionale.

Në një reagim për CBS News, Zachariah deklaroi se në Kinë kishte ushtruar të drejtën ndërkombëtare tregtare. Ajo këmbënguli se i kishte kualifikimet profesionale të nevojshme, por nuk ofroi shpjegime të tjera.

Campaign for Accountability pretendon se Zachariah e ka shfrytëzuar titullin e avokates për t’i dhënë më shumë besueshmëri rolit të saj si komentatore ligjore dhe, tashmë, si zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Ligji në Kaliforni parashikon se si ushtrimi i avokatisë pa licencë, ashtu edhe paraqitja në mënyrë të rreme si person i autorizuar për këtë profesion, mund të përbëjnë shkelje ligjore. Depozitimi i ankesës, megjithatë, nuk do të thotë se është vërtetuar ndonjë shkelje nga Zachariah.

Profesoresha e drejtësisë në Universitetin Stanford, Nora Freeman Engstrom, shpjegoi gjithashtu se ndalimi i parashikuar nga ligji i Kalifornisë shtrihet përtej ushtrimit të profesionit pa licencë: ai përfshin edhe paraqitjen e rreme si avokat i licencuar.

Në mbrojtje të sekretares së shtypit ka reaguar Shtëpia e Bardhë. Drejtori i Komunikimit, Stephen Chung, tha se Zachariah është një pjesëtare e jashtëzakonshme e ekipit dhe se i zotëron kualifikimet për të kryer detyrën e saj.

Chung drejtoi kritika edhe ndaj organizatës që depozitoi ankesën, të cilën e përshkroi si të lidhur me të majtën politike.

Nuk ka ende informacion nëse Shoqata e Avokatëve të Kalifornisë ka hapur një hetim zyrtar për çështjen ose nëse do të marrë masa ndaj sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë.


Shtuar më 16.10.2026 07:51