Gjykata e Trapanit dënoi me pesë vjet e katër muaj burg Antonino Pizzolatto, medalistin e bronztë të Italisë në ngritjen e peshave në Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe Paris 2024, pasi u shpall fajtor për përdhunimin në grup të një turisteje finlandeze në një shtëpi fshati.
Të lidhura
None found
Vendime dënimi morën edhe tre të pandehurit e tjerë, Davide Lupo, Claudio Tutino dhe Stefano Monzovi, të gjithë nga Agrigento.
Denoncimi ndaj katër burrave u bë nga një turiste finlandeze 27-vjeçare, e cila kallëzoi se ishte përdhunuar.
E reja nga Finlanda kishte shkuar me pushime së bashku me dy mikesha. Gjatë asaj mbrëmjeje, ato darkuan në një restorant në qendrën historike të Trapanit, ku u njohën me Pizzolatton dhe tre shokët e tij.
Më pas, grupi vendosi ta vijonte natën në një bar pranë plazhit. Festimet zgjatën përtej mesnatës, derisa dy mikeshat e viktimës vendosën të ktheheshin në hotel.
Ndërkohë, 27-vjeçarja shkoi në banesën ku po qëndronin disa prej të pandehurve. Sipas asaj që u paraqit në gjyq, aty ajo u sulmua seksualisht nga katër burrat. Po gjatë procesit u sqarua se, në pjesën e dytë të mbrëmjes në banesë, ajo kishte vënë re se njëri nga të pandehurit, Davide Lupo, po e filmonte ndërsa puthte një djalë tjetër.
Pas kësaj, e reja u zemërua dhe kërkoi që videoja të fshihej. Abuzimi mori fund vetëm në momentin kur viktima, e tmerruar dhe me lot në sy, u kërkoi ta kthenin në hotelin ku po qëndronte. Të nesërmen në mëngjes, ajo e denoncoi ngjarjen në policinë italiane.
