Një foshnjë e porsalindur ka vdekur në Sheffield, Angli, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim për vrasje dhe kanë vënë në pranga shtatë persona.
Të lidhura
None found
Policia mbërriti në një banesë rreth orës 05:58 të së dielës, pasi u njoftua për shqetësime lidhur me sigurinë e foshnjës. Megjithë përpjekjet e ekipeve të emergjencës, e porsalindura u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes.
Shkaqet dhe rrethanat e sakta të kësaj vdekjeje ende nuk janë përcaktuar. Hetuesit u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos nxjerrin përfundime apo të përhapin spekulime, ndërsa puna për zbardhjen e rastit vijon, raportoi The Sun.
Shtatë persona janë arrestuar nën dyshimin për vrasje dhe aktualisht po mbahen në paraburgim policor. Krahas veprimeve të tjera hetimore, autoritetet po përpiqen të konfirmojnë edhe moshën e disa prej të ndaluarve.
Kryeinspektorja detektive Emma Knight bëri të ditur se për rastin është angazhuar një grup i posaçëm detektivësh dhe oficerësh. Sipas saj, ekipi po punon për të sqaruar gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të siguruar drejtësinë për foshnjën.
“Hetimi ynë është në fazat e hershme”, tha Knight, duke përsëritur kërkesën që të shmangen spekulimet rreth asaj që mund të ketë ndodhur.
