Një përhapje e shpejtë e peshkut sferik po regjistrohet në Detin Egje, ndërsa kjo specie invazive, përveçse është helmues, po sjell edhe shqetësime serioze për ekosistemin detar.
Të lidhura
None found
Për të frenuar praninë e tij, Ministria greke e Zhvillimit Rural dhe e Ushqimit bëri të ditur se do të japë shpërblim financiar për kapjen e peshkut sferik. Skema është parashikuar për peshkatarët profesionistë në zonën përreth Kretës dhe në jug të Detit Egje, ndërsa për çdo kilogram të kësaj specieje invazive do të paguhen 5,33 euro.
Ky program është mirëpritur nga shoqatat e peshkatarëve, të cilat theksojnë se prania e këtij peshku ua vështirëson ndjeshëm aktivitetin dhe njëkohësisht po prish ekuilibrat në botën detare.
Sipas Qendrës greke për Kërkime Detare (HCMR), kjo specie ka aftësi të lartë përshtatjeje në mjedise të ndryshme dhe përballet me pak grabitqarë natyrorë, çka e ndihmon të përhapet më tej. Po ashtu, shumimi i saj i shpejtë po zhvendos dhe po rrezikon speciet vendase.
Peshku sferik mund të arrijë deri në rreth 40 centimetra gjatësi dhe peshë deri në 9 kilogramë. Origjina e tij është nga Oqeanin Indian dhe Paqësor, ndërsa në Detin Mesdhe ka hyrë përmes Kanalit të Suezit, ku është konstatuar për herë të parë në vitin 2003.
Problem edhe në Turqi
Ministri grek i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, Margaritis Skinas, deklaroi për mediat greke se “qëllimi ynë është të krijojmë stimuj, por, të them të drejtën, nuk besoj se do të shohim ndryshime spektakolare”, pasi sipas tij zhdukja e plotë e kësaj specieje nuk është e mundur. Ai sqaroi se objektivi kryesor mbetet kufizimi i popullatës së peshkut sferë.
Edhe në ujërat turke, ku kjo specie është bërë problem prej vitesh dhe ku gjithashtu ofrohen shpërblime për kapjen e saj, kjo politikë vlerësohet si e suksesshme.
Sipas Ministrisë turke të Bujqësisë dhe Pylltarisë, vitin e kaluar janë kapur rreth 290.000 ekzemplarë peshku sferik, një shifër që besohet se ka penguar shtimin e rreth 22 milionë individëve të rinj të kësaj specieje.


