Një aksion i fuqishëm policor ka tronditur Katalonjën, teksa forcat e rendit spanjolle shkatërruan një rrjet kriminal të specializuar në kontrabandën e armatimeve.
Gjatë ndërhyrjes, nëntë individë përfunduan në pranga dhe u konfiskua një sasi mbresëlënëse armatimesh, ku spikatnin një bazukë dhe një granatë dore.
Të lidhura
None found
Aksioni u ekzekutua nga një task-forcë e përbërë nga Mossos d’Esquadra dhe Policia Nacional, me angazhimin e rreth 130 oficerëve. Sipas njoftimeve zyrtare, efektivët bastisën disa pika të përdorura nga grupi dhe lokalizuan dy depo të fshehta, brenda të cilave u gjetën mbi 40 armë zjarri.
Ndër materialet e sekuestruara bënte pjesë një armë e kalibrit të luftës, 38 pistoleta gjysmë-automatike, dy revole, katër pushkë dhe afërsisht 1.000 fishekë. Po ashtu, uniformat blu vunë në dorë një granatë dore, jelekë antiplumb, një mburojë balistike, bazukën e lartpërmendur dhe 12 mijë euro në kartëmonedha.
Hetimet zbuluan se organizata drejtohej nga pas hekurave. Një i burgosur, duke shfrytëzuar komunikimet me botën e jashtme, vijonte të orkestronte aktivitetin kriminal dhe t’u transmetonte direktiva familjarëve të tij. Rrjeti ishte i fokusuar në blerjen, ruajtjen dhe tregtimin e paligjshëm të armëve, duke përdorur rrugë të kamufluara për t’i promovuar ato dhe për t’u dërguar foto blerësve potencialë.
Një prej vajzave të kreut kishte marrë përsipër funksionin e reklamimit të arsenalit, duke realizuar fotografi dhe video të armatimeve për t’ia paraqitur klientelës. Partnerja e tij, ndërkohë, merrej me transportin e mallit me makinë drejt pikave të caktuara për dorëzim, teksa negociatat i menaxhonte vetë udhëheqësi nga qelia e burgut.
Hetimi, i cili pati nisjen në muajin janar, përfundoi me arrestimin e nëntë shtetasve, konkretisht pesë burra dhe katër gra, me grupmoshë nga 20 deri në 48 vjeç. Paralelisht me operacionin në terren, forcat e rendit zhvilluan edhe një inspektim të befasishëm në burgun ku mbahej personi i dyshuar si truri i të gjithë skemës.
Policia spanjolle ka bërë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk hidhet poshtë mundësia që në kuadër të këtij operacioni të ketë edhe kapje të tjera.
