Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk urdhëron armëpushim në Gazë: Izraeli të parandalojë vdekjet dhe dëmet

jykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhëruar të premten Izraelin që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit në Gazë.

Gjykata ka thënë të premten se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të sigurohet që forcat e tij nuk kryejnë gjenocid dhe marrin masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë.

Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.

Gjykata ka thënë se nuk do të refuzojë rastin, siç ka kërkuar Izraeli.

Në mesin e masave të kërkuara prej Afrikës së Jugut, përfshihet ndalja e menjëhershme e operacionit ushtarake të Izraelit në Gazë, si pasojë e të cilit janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve.

Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue.
Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue.

Kërkesa për ndëshkim të Izraelit është bërë prej Afrikës së Jugut në dhjetor të vitit 2023.

Afrika e Jugut dhe Izraeli janë pjesë e Konventës së OKB-së për Gjenocid.

Për një vendim të gjykatës për supozimet e Afrikës së Jugut për kryerjen e gjenocidit nga ana e Izraelit pritet të kalojnë vite.

Izraeli i ka konsideruar akuzat ndaj tij si të “pabaza”.

Johanesburgu beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.

Disa janë liruar ndërkohë.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri./


Shtuar 26.01.2024 14:12