Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser ka bërë të ditur, se po shikohet mundësia e procedurave të azilit në vende të treta, që ndodhen në itinerarin drejt Europës e plotësojnë standardet e shtetit ligjor.
Në këtë kontekst shikohet nga qeveria gjermane edhe prakticiteti i marrëveshjes Itali-Shqipëri.
Në një intervistë për gazetën gjermane, “Welt am Sonntag”, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser u shpreh, se “ka ekspertë, që e shikojnë të mundur një rregullore të tillë, të tjerë thonë, se duhet ndryshuar legjislacioni për këtë.
Ne po e shohim këtë me shumë kujdes. Kriter për ne janë të drejtat e njeriut, si mbrohen në juridiksionin europian dhe në kushtetutën tonë.”
Si vende që mund të vijnë në konsideratë, Faeser përmend “shtetet që ndodhen në itinerarin drejt Europës dhe respektojnë rregullat e shtetit ligjor”.
Ndërkohë për të përshpejtuar procedurat e azilit, ministrja e Brendshme, Faeser ka premtuar 300 milionë euro shtesë.
“Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët ne e forcojmë me 1.160 punonjës shtesë”, tha Faeser për gazetën gjermane./DW