Nënshkrimi i marrëveshjes kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për mbylljen e konfliktit në Lindjen e Mesme solli reagim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare.
Investitorët e pritën pozitivisht këtë zhvillim, çka u pasqyrua me rënien e çmimeve të naftës dhe me rritjen e bursave kryesore në botë.
Të lidhura
None found
Gjatë tregtimit të hershëm të së enjtes, nafta Brent shënoi një ulje prej 1.12%, duke rënë në 78.66 dollarë për fuçi, ndërsa WTI amerikane zbriti me 1.28% dhe u këmbye në 75.81 dollarë për fuçi. Sipas analistëve, kjo lëvizje lidhet me zbutjen e rrezikut gjeopolitik në rajon dhe me pritshmëritë që eksportet iraniane të naftës të rikthehen gradualisht në tregjet ndërkombëtare.
Edhe tregjet financiare reflektuan optimizëm. Indeksi japonez Nikkei 225 u ngjit me rreth 5%, duke prekur nivele rekord, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut avancoi me 5.2%. Rritje regjistruan edhe indekse të tjera aziatike, pasi investitorët vlerësuan se marrëveshja do të ulë rrezikun e ndërprerjeve në furnizimin global me energji dhe në zinxhirët ndërkombëtarë të tregtisë.
Një prej pikave kyçe të marrëveshjes është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës. Kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif tha se ngushtica do të hapet plotësisht pa vonesë, ndërsa SHBA do të nisë menjëherë heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi ndërkohë se e ka nënshkruar marrëveshjen gjatë një darke zyrtare në Pallatin e Versajës, pas samitit të G7. “U nënshkrua. Sapo e firmosa në Versajë”, u shpreh Trump para gazetarëve.
Zyrtarisht finalizimin e dokumentit e konfirmoi edhe Teherani. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, njoftoi se memorandumi është firmosur nga presidentët e të dy vendeve dhe se tashmë mund të nisë faza e zbatimit.
Dokumenti përmban 14 pika dhe përcakton që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore, si edhe krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Po ashtu, ai parashikon një periudhë 60-ditore negociatash për përmbylljen e kushteve përfundimtare, lehtësimin gradual të sanksioneve dhe rifillimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, disa çështje mbeten ende të pazgjidhura, mes tyre negociatat teknike për programin bërthamor iranian, heqja e kufizimeve mbi eksportet e naftës dhe mënyra e administrimit të Ngushticës së Hormuzit pas periudhës kalimtare 60-ditore.
Pavarësisht këtyre paqartësive, tregjet globale e kanë lexuar marrëveshjen si një sinjal të fortë stabiliteti, duke zbutur frikën për një krizë të re energjetike dhe për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.
