Luigi Cavallari, bashkëshorti i ministres italiane Eugenia Roccella, është gjetur i pajetë mëngjesin e 4 gushtit në liqenin Vico, në provincën e Viterbos. Ai rezultonte i zhdukur që nga 27 qershori.
Të lidhura
None found
Ngjarja tragjike ndodhi ndërsa Cavallari po lundronte me varkë në liqen së bashku me të shoqen. Pasi u hodh në ujë, ai nuk u shfaq më në sipërfaqe, ndërsa ishte vetë ministrja ajo që ngriti alarmin për zhdukjen. Dyshimet e para tregojnë se vdekja mund të jetë shkaktuar nga një sëmundje e ardhur si pasojë e shokut termik.
Kërkimet vazhduan për më shumë se një muaj, por kushtet në liqenin Vico e vështirësuan punën e ekipeve. Dukshmëria e ulët nën ujë dhe shtresat e baltës, llumit e algave në fund të liqenit penguan përcaktimin e vendndodhjes së trupit.
Për të verifikuar çdo sinjal të kapur nga pajisjet, ekipet e shpëtimit përdorën sonarë dhe robotë nënujorë gjatë operacioneve.
Pas përfundimit të kërkimeve me gjetjen e trupit, Roccella deklaroi se “mori fund një periudhë pritjeje e mundimshme”. Ajo shprehu mirënjohje për të gjitha strukturat e angazhuara në operacion, mes tyre Prefekturën e Viterbos, zjarrfikësit, policinë, karabinierët dhe Guardia di Finanza, si dhe falënderoi institucionet e banorët e Ronciglione për mbështetjen.
Ministrja theksoi se gjetja e trupit nuk e zbut dhimbjen e shkaktuar nga humbja, por të paktën i mundëson familjes t’i japë lamtumirën e fundit njeriut të dashur.
