Eraldo Çinari e ka nisur aventurën me Jeju-n duke debutuar në miqësoren që skuadra koreane zhvilloi kundër Bayern Munich, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Takimi u mbyll me fitoren 1-2 të bavarezëve.
Të lidhura
None found
Anësori i djathtë e nisi ndeshjen si titullar dhe la përshtypje pozitive gjatë 46 minutave që kaloi në fushë. Më pas, vendin e tij e zuri shoku i skuadrës, Park Chang-Jun.
Futbollisti 29-vjeçar iu bashkua klubit korean si lojtar i lirë, pasi eksperienca e tij e fundit ishte me Al-Jabalain në Arabinë Saudite. Në karrierën e pasur, Çinari ka luajtur edhe për Noah në Armeni, Shkëndijën e Tetovës në kampionatin maqedonas, si dhe për Partizanin e Vllazninë në Superiore.
Sulmuesi shkodran ka qenë gjithashtu pjesë e Samsunspor në Superligën turke, një tjetër përvojë e rëndësishme në karrierën e tij.
Në koleksionin e trofeve, Çinari ka dy të fituar me Partizanin: titullin kampion të sezonit 2018/19 dhe Superkupën e Shqipërisë 2019/20. Ndërkohë, me armenët e Noah, shkodrani ka arritur të triumfojë në kampionat dhe në Kupë.
