Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin më të rëndë të Ebolës në historinë e saj, me 7,022 raste të konfirmuara në laborator dhe 3,998 viktima të raportuara deri tani. Autoritetet në Kinshasa bëjnë të ditur se epidemia mund ta ketë kaluar pikun.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave zyrtare, 1,671 persona janë shëruar nga sëmundja. Shpërthimi aktual përbën epideminë e 17-të të Ebolës në vend, e shpallur në mesin e majit.
Ebola, një sëmundje që në shumë raste rezulton vdekjeprurëse, ka shkaktuar mbi 15,000 viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit.
Provinca verilindore e Iturit vazhdon të jetë qendra kryesore e epidemisë dhe aty është konfirmuar pjesa më e madhe e rasteve. Virusi është përhapur kryesisht në lindje dhe në veri të vendit, në zona të izoluara e të dëmtuara rëndë nga trazirat, ndërsa masat shëndetësore nuk kanë arritur ta frenojnë përhapjen.
Vetëm këtë javë, rastet u shfaqën edhe në provincën e shtatë, Ubangi Jugor, e cila ndodhet në kufi me Republikën Qendrore Afrikane dhe Kongo-Brazzaville.
“Kulmi u kalua në fillim të javës së tretë të gushtit”, deklaroi të shtunën zëdhënësi i qeverisë, Patrick Muyaya, përmes një postimi në X.
Muyaya shtoi se “të gjithë parametrat tregojnë një rënie të numrit të rasteve”. Ai sqaroi gjithashtu se në “10 nga 61 zonat shëndetësore” të prekura nuk është regjistruar asnjë rast i ri “për të paktën 21 ditë”.
Rastet e Ebolës janë konstatuar edhe në shkolla, vetëm pak ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor. Lajmi ka rritur shqetësimin mes prindërve dhe personelit shëndetësor, sipas burimeve të sistemit arsimor që folën për AFP.
“Jemi shumë të shqetësuar sepse nuk e dimë se cili fëmijë është nga cila familje ose cila është gjendja shëndetësore e anëtarëve të kësaj familjeje”, tha për AFP Angel Magani, nëna e një nxënësi të ri në Bunia, kryeqyteti i provincës.
“Jemi shumë të frikësuar, megjithëse administrata e shkollës na siguron për masat shëndetësore që po zbatohen”, vijoi ajo.
Roger Mungibo, administrator i një shkolle në Bunia, tha për AFP se larja e duarve me sapun është e detyrueshme. “Po bëjmë gjithçka që është e mundur që të kemi një maksimum prej 30 nxënësish në secilën klasë”, u shpreh ai.
Agjencitë e angazhuara në përballimin e epidemisë paralajmërojnë se fondet në dispozicion nuk mjaftojnë për të siguruar izolimin dhe monitorimin e pacientëve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësoi të martën se nevojiten edhe 5,000 punonjës shëndetësorë për menaxhimin e epidemisë.
Ndërkohë, po provohen trajtime dhe vaksina të ndryshme kundër llojit Budibugio të virusit, që ka shkaktuar shpërthimin aktual. Deri tani, nuk ekziston asnjë preparat i miratuar për këtë lloj virusi.
Epidemia e dytë më vdekjeprurëse e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, shtet i gjerë i Afrikës qendrore, shkaktoi rreth 2,300 viktima nga 3,500 rastet e regjistruara gjatë viteve 2018-2020.
