Linda Kitchen ka ndërmarrë hapa ligjorë kundër Singapore Airlines më shumë se dy vjet pas turbulencave të fuqishme që i kushtuan jetën bashkëshortit të saj 73-vjeçar gjatë një fluturimi.
Të lidhura
None found
74-vjeçarja nga Thornbury, në Mbretërinë e Bashkuar, e ka paraqitur çështjen në Gjykatën e Lartë britanike. Mes kërkesave të saj është edhe sigurimi i mbështetjes financiare për trajtimin e specializuar që i nevojitet për dëmtimet e rënda në shtyllën kurrizore, të shkaktuara nga incidenti.
Në maj të vitit 2024, Linda dhe bashkëshorti i saj, Jeff Kitchen, po fluturonin nga Aeroporti Heathrow i Londrës për në Singapor, kur avioni hasi turbulenca të forta mbi Mianmar.
Avokatët e familjes bëjnë të ditur se gjatë ngjarjes avioni humbi afërsisht 6,000 metra lartësi. Fluturimi u devijua më pas drejt Bangkokut, ku u realizua një ulje emergjente.
Duke përshkruar çastet e frikshme në bord, Linda tha se lëkundjet ishin aq të dhunshme sa krijoi bindjen se avioni nuk po kontrollohej më.
“Ndihesha sikur avioni po binte. Pashë Kindle-in tim dhe telefonin e Jeff-it në dysheme dhe mendova se avioni po binte jashtë kontrollit”, ka treguar ajo.
Kur avioni pësoi rënien e befasishme, Jeff u përplas mbi të shoqen, ndërsa Linda goditi me forcë mbështetësen e krahut të sediljes.
Pasagjerë të tjerë e larguan Jeff-in nga Linda, ndërkohë që një mjek i pranishëm në avion filloi menjëherë përpjekjet për ta reanimuar.
Me të mbërritur në Bangkok pas uljes emergjente, Linda u transportua në spital, kurse Jeff qëndroi në avion. Vetëm dy ditë më vonë ajo u informua se bashkëshorti kishte vdekur. Familja thotë se ai pësoi një atak në zemër pas incidentit.
Linda u trajtua për 10 ditë në spital dhe më pas u kthye në Britani. Sapo mbërriti në Bristol, ajo u shtrua përsëri, ndërsa pas daljes nga spitali iu desh ndihmë e konsiderueshme në shtëpi për shkak të dëmtimeve të marra.
Anthi Korelidou, avokatja e saj dhe specialiste e ligjit të aviacionit, deklaroi se pasojat e ngjarjes dëshmojnë qartë fuqinë e jashtëzakonshme të turbulencave.
Ajo tha se familjarët vazhdojnë të kërkojnë sqarime për mënyrën se si ndodhi incidenti, si edhe për mundësinë nëse mund të ishin marrë masa të tjera për shmangien e pasojave të rënda.
Linda Kitchen kërkon zhvillimin e hetimeve sa më të hollësishme. Procesi në Gjykatën e Lartë britanike pritet të përcaktojë gjithashtu përgjegjësitë dhe llojin e mbështetjes që ajo mund të përfitojë për dëmtimet e pësuara.
