Një krim i rëndë po shqyrtohet nga drejtësia britanike, pasi 31-vjeçari Steven Garner akuzohet për vrasjen e partneres së tij, 33-vjeçares Amber O’Brien, e cila ishte shtatzënë me binjakë.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë seancës gjyqësore, O’Brien u godit më shumë se 60 herë me thikë, kryesisht në zonën e fytyrës dhe qafës. Ngjarja dyshohet se ndodhi pas një konflikti mes çiftit në prill të vitit të kaluar.
Viktima u gjet e pajetë në dyshemenë e banjës së banesës ku jetonte me Garnerin. Prokuroria bëri të ditur se ajo ishte e zhveshur dhe e mbuluar me një mushama blu.
Mjeku ligjor, sipas dëshmisë së paraqitur në gjykatë, kishte dokumentuar mbi 60 plagë të shkaktuara nga një thikë, mes të cilave 32 në fytyrë dhe qafë.
Pas ngjarjes, Garner dyshohet se kaloi rreth një ditë e gjysmë duke tentuar të zhdukte provat. Akuza pretendon se ai lau trupin, pastroi banesën me zbardhues, hoqi rrobat e njollosura me gjak dhe shkatërroi telefonin e partneres, ndërsa hodhi edhe pajisjen e tij.
Efektivët e policisë shkuan në banesën e 31-vjeçarit pasditen e 19 prillit. Sipas akuzës, ai i kishte thënë më herët një të afërmi se e kishte goditur partneren dy herë në qafë.
Gjatë procesit u përmend edhe dëshmia se Amber O’Brien i kishte rrëfyer vëllait për debatet e shpeshta me Garnerin dhe për shqetësimin e saj lidhur me ndryshimet e humorit të tij.
Rreth dy javë para vrasjes, ajo i kishte thënë vëllait se diçka nuk ishte në rregull me partnerin, duke shprehur shqetësim për situatën në të cilën ndodhej.
Garner pritet të mbrojë qëndrimin se nuk kishte synuar t’i shkaktonte dëmtime të rënda fizike partneres dhe se, në çastin e përplasjes, kishte humbur kontrollin mbi veten.
Ai pritet të deklarojë gjithashtu se ishte përpjekur të largohej nga banesa në orët e para të 18 prillit, por se O’Brien e kishte goditur me grusht dhe kishte marrë një thikë.
Procesi gjyqësor vijon në Britani, ku do të shqyrtohen pretendimet e palëve dhe të gjitha rrethanat e ngjarjes.







