Pas 8 vjetësh, një akuarel i rrallë i Pikasos, i vjedhur në vitin 2018 nga një galeri në Milwaukee, u gjet në një apartament që po pastrohej pasi ishte boshatisur nga pronari.
Të lidhura
None found
Bill DeLind besonte se vepra nuk do të gjendej më, derisa mori një telefonatë nga Tim Dertz, i cili i kërkoi të kontrollonte diçka të zbuluar gjatë pastrimit të apartamentit.
Sapo e pa, DeLind identifikoi menjëherë “Torero”-n e vjedhur, një prej 30 akuareleve që njihen si të nënshkruara nga Pikaso.
“Mbeta pa fjalë dhe u trondita. Për mua ishte një çast shokues”, u shpreh DeLind.
Në pjesën e pasme të punimit ndodhej ende ngjitësi i kompanisë së tij, DeLind Fine Art Appraisals, i vendosur aty që në vitin 2018.
“Nuk kishte dyshim se bëhej fjalë pikërisht për atë vepër”, tha DeLind.
Përmes një emaili të dërguar të premten, Departamenti i Policisë së Milwaukee-t bëri të ditur se për vjedhjet dhe krimet ndaj pronës afati i parashkrimit është zakonisht gjashtë vjet. Megjithatë, rasti vazhdon të jetë nën hetim. Caroline Clancy, zëdhënëse e FBI-së në Milwaukee, nuk pranoi të jepte koment.
Sipas DeLind, në vitin e vjedhjes akuareli kishte një vlerë të përllogaritur nga 35 mijë deri në 50 mijë dollarë. Ai mendon se çmimi i tij nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh që prej asaj kohe, por historia që tashmë e shoqëron mund ta afrojë vlerën me 50 mijë dollarë.
Aktualisht, vepra mbahet nga policia e Milwaukee-t. Ndërkohë, siç sqaroi DeLind, klienti që e kishte lënë atë në galerinë e tij për t’u shitur po trajton çështjen me kompaninë e sigurimeve.
Ish-ortaku i DeLind, i cili ndërroi jetë në shkurt, ishte shkatërruar nga vjedhja e vitit 2018. Në çdo përvjetor të ngjarjes, ai kontaktonte policinë dhe kërkonte që rasti të bëhej sërish publik, me shpresën se punimi i Pikasos do të zbulohej.
“Ky lajm do ta kishte gëzuar jashtëzakonisht shumë, sepse ajo vepër kishte rëndësi të veçantë për të”, tha DeLind.
