Aksidenti tragjik në Rumani, ky është shqiptari që humbi jetën, i riu tifoz i zjarrtë i PAOK

Personi që shihni në foto është Vasil Pilo, i riu shqiptar që humbi jetën këtë të martë në aksidentin tragjik në Rumani. Ai është identifikuar zyrtarisht vetëm pak minuta më parë nga policia rumune, e cila tashmë ka kaluar informacionin edhe drejt policisë greke.

Vasil Pilo mësohet se jetonte me familjen e tij në Alexandria të Imathias në Greqi prej shumë vitesh. Jashtë kamerave miqtë e tij tregojnë se Vasili ishte tifoz i zjarrtë i PAOK dhe ishte prezent në gjithë ndeshjet e skuadrës së tij të zemrës, e cila ishte dhe arsyeja që ai po udhëtonte drejt Francës sot.

Si ndodhi ngjarja?

Aksidenti tragjik ndodhi në Rumani, kur një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut, të cilët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lionit në Europa League, u përfshi në aksident në autostradën pranë qytetit Lugoj. Të gjithë tifozët ishin të moshës 25 deri në 30 vjeç. Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas kaloi në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.

Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit. Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.

Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune, për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve. Ndërkohë, Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve./


Shtuar 27.01.2026 22:36