Pas zgjedhjeve që i hoqën shumicën parlamentare Benjamin Netanyahut, partitë arabe mund të bëhen përcaktuese për krijimin e qeverisë së ardhshme në Izrael. Kjo mund të shënojë një kthesë historike në politikën e vendit.
Yousef Jabareen, kreu i koalicionit kryesor të partive arabe, i tha The Guardian se është i gatshëm të mbështesë opozitën për t’i dhënë fund qeverisjes së Netanyahut dhe aleatëve të tij të ekstremit të djathtë.
Të lidhura
None found
Blloku i kryeministrit, ndonëse doli i pari, ka zbritur nga 68 në 53 vende në Knesset, i cili ka gjithsej 120 mandate. Ndërkohë, aleanca opozitare “Ndryshimi”, e drejtuar nga ish-gjenerali Gadi Eisenkot, fitoi 48 vende. Partitë arabe arritën një rezultat rekord me 19 mandate, pas pjesëmarrjes historike në votime të rreth 80% të qytetarëve arabë të Izraelit.
Jabareen bëri të ditur se koalicioni i tij nuk ka ndërmend të hyjë në qeveri për sa kohë vazhdon pushtimi i territoreve palestineze në Bregun Perëndimor. Megjithatë, ai është i gatshëm të japë mbështetje për një qeveri të udhëhequr nga opozita.
Ndër kërkesat e tij janë përfundimi i diskriminimit ndaj komunitetit arab, rifillimi i negociatave me udhëheqjen palestineze dhe ndalimi i luftës. Sidoqoftë, krijimi i një alternative qeverisëse mbetet i vështirë, për shkak të mospajtimeve mes partive opozitare dhe kushteve për bashkëpunimin me përfaqësuesit arabë.
Edhe pa u formuar ende qeveria e re, 67 deputetët që janë kundër Netanyahut mund të marrin kontrollin e parlamentit. Hapi i parë mund të jetë zgjedhja e kryetarit të Knessetit.
Jabareen shprehu gjithashtu shqetësimin se Netanyahu mund të përfshihet në një konflikt të ri me Iranin. Sipas tij, përshkallëzimi ushtarak mund të përdoret për të shtyrë tranzicionin politik.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, pritet të nisë konsultimet me partitë për të vendosur se kujt do t’i besohet mandati për formimin e qeverisë së ardhshme.







