Të paktën 300 tanke të Bjellorusisë ndodhen pranë kufirit me Ukrainën ndonëse lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, u ka thënë mediave shtetërore se forcat e këtij shteti nuk do t’iu bashkohen trupave ruse në pushtim.
Në këtë situatë Polonia ka bërë thirrje për sanksione ndaj Bjellorusisë. Kryeministri i Polonisë ka propozuar vendosjen e sanksioneve ndaj Bjellorusisë sa më shpejt të jetë e mundur dhe tha se kreu i Komisionit Evropian ishte dakord me të.
Ukraina ka thënë më parë se Rusia ka plane për të futur trupat bjelloruse në luftë.
Presidenti i Bjellorusisë, tha se asnjë njësi ushtarake nuk është larguar nga bazat, por shtoi se vendi mund të mobilizohet në më pak se tre ditë në rast rreziku.
Lukashenka, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se “ushtria bjelloruse nuk është duke marrë pjesë dhe as nuk ka marrë pjesë në aksion ushtarak”.
“Mund t’ia vërtetojmë këtë secilit. Për më shumë, udhëheqësia ruse nuk e ka ngritur kurrë këtë çështje me ne – përfshirjen tonë në konfliktin e armatosur. Ne nuk synojmë të marrim pjesë në këtë operacion special në Ukrainë në të ardhmen. Nuk ka nevojë”.
Shqetësimet janë rritur të hënën se Lukashenka është duke u përgatitur për të dërguar forcën ushtarake për t’iu bashkuar sulmit në Kiev.